English

Vlorë: Lulishtja E Flamurit, Simboli I Pavarësisë Kombëtare

-Dossier- VLORË, 14 maj /ATSH-H.Kocci/ - Lulishtja e Sheshit të Flamurit në qytetin e Vlorës është simboli i ngjarjes së Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Madje edhe përurimi i saj është bërë në një nga përvjetorët e kësaj ngjarjeje, më e madhja në historinë e Shqipërisë. - Lulishtja, pjesë e transformimit të qytetit- Ideja për rikonceptimin e qendrës së qytetit të Vlorës nisi shumë më herët se, ajo të konkretizohej. Kjo lidhet me periudhën e transformimeve që po përjetonte qyteti, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë dhe, veçanërisht në vitet 1920. Qendra e qytetit të Vlorës, po shndërrohej në një mjedis funksional dhe me parametra bashkëkohorë. Elita e qytetit, e përbërë nga emra të njohur në historinë e Shqipërisë, si pinjollët e familjes Vlora, Ali Asllani etj, nxiti dhe ndërmorri projekte konkrete për rikonceptimin e planit urban, veçanërisht të qendrës. Deri në atë kohë ishte ndërtuar godina e Merkatos dhe pjesërisht kulla e sahatit, godina e bashkisë (sot Muzeu Historik), një numër objektesh të tjera banimi, me arkitekturë bashkëkohore. Në këto kushte, fokusi i atyre që përbënin elitën e kohës u zhvendos në atë vend, ku ngriheshin sarajet e Vlorajve. Për këtë, në vitin 1920 u kryen procedurat e para për përshtatjen e territorit ku ndodheshin sarajet e famshme, ku u zhvillua mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Pavarësisë dhe u ngrit Flamuri nga Ismail Qemali, pinjoll i kësaj familjeje. Ideatorët e këtij projekti synonin të përjetësonin Shpalljen e Pavarësisë dhe njëkohësisht t'i jepnin qendrës së Vlorës, pamjen e një qyteti modern. Ndërtimi i Lulishtes së Flamurit përkon me vitin 1925. Nuredin Bej Vlora, kryetar i bashkisë në atë kohë, nismëtar dhe donator i mjaft projekteve të tjera, ishte ai që finalizoi transformimin e qendrës së qytetit, me një mjedis të gjelbëruar mjaft modern. Pinjolli i familjes së njohur ishte një nga donatorët kryesor të truallit, por edhe i vlerës financiare, krahas emrave të tjerë. Arkitekti Piro Stefa thotë për ATSH-në se projekti u përgatit nga specialistë italianë, emrat e të cilëve mbeten të panjohur. Ishte një investim i madh për kohën, që kërkoi energji dhe investime, praktikisht të papërballueshme për pushtetin vendor. Por, si edhe në raste të tjera të ngjashme, elita e qytetit u tregua e gatshme për të mbështetur financiarisht këtë nismë. Lulishtja e Flamurit u konceptua në një sipërfaqe prej 40 mijë metra katrorë. Për të simbolizuar vitin e ndërtimit, në të u mbollën 25 fidanë pishash, të cilat u sollën nga Italia, ashtu sikundër edhe lulet dhe materiale të tjera të nevojshme për ndërtim. Projekti duhej të përurohej në përkujtim të 13 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, gjë që praktikisht u realizua. Intensiteti i punimeve ishte i lartë dhe në të u angazhuan specialistët më të njohur për kohën, mes të cilëve edhe usta Xhemal Jashari, kontribues në të gjitha objektet e realizuara në ato vite në qytetin e Vlorës. Përfundimi i Lulishtes së Flamurit i dha një pamje krejt të veçantë dhe bashkëkohore sheshit që mbante të njëjtin emër. Por, në një këndvështrim tjetër ky moment do të shënonte vetëm fillimin e konkretizimit të saj. Ky mjedis i gjelbëruar, do të plotësohej në vazhdimësi edhe me elementë të tjerë, që lidheshin me datën 28 Nëntor të vitit 1912. Ndërtimi i shtizës së Flamurit u pasua nga vendosja brenda hapësirës së lulishtes e varrit monumental të Ismail Qemalit. Ky projekt që u përurua në 28 nëntor të vitit 1932, sipas historianëve vlonjatë, plotësoi mjaft mirë simbolikën e këtij ansambli me vlera të shumëfishta. Në varrin monumental të Ismail Qemalit u vendos një statujë e punuar nga skulptori i popullit, Odise Paskali, që përjetëson në bronx jetën dhe emrin e Plakut të Vlorës, në sheshin ku ai konkretizoi ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi. -Sot Lulishtja e Flamurit, më e vogël se në 1925- Sot Lulishtja e Flamurit nuk ka përmasat e projektit fillestar. Ndërtimi i Monumentit të Pavarësisë, në vitin 1972, zvogëloi sipërfaqen e saj të vitit 1925. Madje, edhe numri i pishave, tashmë të rritura, nuk është ai i fillimit. Këshilli bashkiak i qytetit ka miratuar një vendim për vendosjen në mjediset e lulishtes të busteve të kryetarëve të bashkisë së Vlorës deri në vitin 1939. Kjo, sipas specialistëve vlonjatë, do të ridimensionojë vlerat historike të kësaj lulishteje, simbol i përpjekjeve të brezave për pavarësi kombëtare. /ch/
KOMENTE