English

Zmk: Rama Ka Shkaktuar Dëme Financiare Dhe Materiale Ndaj Qytetarëve Të Tiranës

TIRANË, 14 Maj /ATSH - Gjergji Mima/. - Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dorëzoi sot në postën e Bashkisë së Tiranës një letër ku akuzon kryebashkiakun Rama për një dëm material dhe financiar, që u është shkaktuar qytetarëve në Tiranë nga bllokimi i rrugëve gjatë 2 javëve të fundit nga aksionet politike të Partisë Socialiste me grevën në mes të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". "Nga llogaritjet që kemi bërë rezulton që është 1 miliardë lekë të vjetra në ditë, dëmi që i bëhet qytetit të Tiranës, nga bllokimi i rrugëve nga kryebashkiaku Edi Rama", u shpreh drejtori i ZMK-së, Altin Goxhaj. Sipas tij, "nga të dhënat e ZMK-së, rezulton se kryebashkiaku Rama i ka shkaktuar çdo ditë qytetarëve të Tiranës dëme në transportin publik, në shërbimin e urgjencës, në shërbimin taksi, në transportin privat, ndotje të mjedisit si pasojë e karburantit të djegur të shtuar pas bllokimit të rrugëve dhe kohës shtesë që i duhet qytetarëve të lëvizin". Goxhaj theksoi se ZMK do të bëjë një padi civile ndaj kryebashkiakut Rama, pikërisht për të dëmshpërblyer qytetarët e Tiranës. "Nga të dhënat tona rezulton se ky dëm që ka bërë kryetari i Bashkisë së Tiranës ndëshkohet nga ligji nëpërmjet një padie civile që Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve do t'i bëjë krybashkiakut Rama për të dëmshpërblyer qytetarët e Tiranës në vlerën e deri tanishme 14 miliardë lekë të vjetra", tha Goxhaj. Greva, sipas Goxhajt, s"është protestë ndaj qeverisë, por kundër qytetarëve të Tiranës./s.s./
KOMENTE