English

Arben Malaj: U largova nga greva e urisë, se ma këshilluan mjekët

Tiranë, 15 maj, NOA – “Pas disa konsultave mjekësore dhe kërkesës së ekipit mjekësor të grevës së urisë, u detyrova ta ndërpres atë dhe t’i nënshtrohem një sërë analizave mjekësore. Kjo pasi rregulli bazë për të gjithë kolegët e grevës së urisë, është respektimi i këshillave dhe kërkesave të mjekëve”.

I tillë ka qenë sqarimi i deputetit socialist Arben Malaj mbi largimin e tij nga greva e urisë, ku ndenji i ngujuar për dy javë me radhë, pasi sipas tij, “disa media e kanë keqinterpretuar këtë fakt”.

“Deklaroj në mënyrë të qartë, me shumë përgjegjësi qytetare dhe politike se e mbështes grevën e urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj, sikundër mbështes kërkesën për transparencë të procesit zgjedhor, kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standarteve më të mira”, pohon Malaj pasi ka dalë nga greva e urisë.

Sipas tij, “arroganca, agresiviteti dhe brutaliteti publik e parlamentar, keqpërdorimi politik i artistëve dhe intelektualëve të vendit tim, indiferenca dhe cinizmi deri çnjerëzore që manifestojnë edhe publikisht ndaj grevistëve të urisë deputetët e mazhorancës, janë provat reale të përmasave të krizës njerëzore dhe politike në të cilën ndodhet kjo mazhorancë”.

Duke përfunduar deklaratën e tij se “pasojat e kësaj situate politike janë një kosto e rëndë për proceset integruese te vendit dhe kjo situatë rrezikon të rrisë efektet negative në ekonomi, duke rritur papunësinë, varfërinë e çdo shqiptari pavarësisht nga anëtarësia partiake apo preferencat e tyre politike”.

n.e/NOA

KOMENTE