Zagreb, 15 maj, NOA – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë, ku gjatë këtyre viteve ka investuar më shumë se gjysmë miliardi euro në Shqipëri.
Kështu e ka vlerësuar kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të 19-vjetorit të BERZH që u zhvillua në Zagreb, rolin e këtij institucioni financiar në vendin tonë.
Në këtë takim të rëndësishëm, morën pjesë rreth mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët diskutuan mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse.
“Unë njoha të pranishmit me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare për të parandaluar ose për të zvogëluar, pasojat e një krize globale të paprecedentë, që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. Si edhe me disa nga pasojat e shfaqura nga fundi i viti 2008 gjer në vitin 2009, të cilat tani po zhduken tërësisht ose janë në zhdukje e sipër”, bëri me dijeni kreu i qeverisë.
Ndër të tjera, ai ka bërë me dijeni kërkesën e Shqipërisë që të intensifikohen kreditë e BERZH-it për sektorin privat shqiptar.
“Kërkova gjithashtu që BERZH të financojë edhe në projekte të tjera, veçanërisht në parqe industriale dhe në sektorët të cilët krijojnë punësim të madh”, shtoi kreu i qeverisë lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA