Zagreb, 15 maj, NOA - Marrëveshja e Ohrit paraqet një rëndësi të jashtëzakonshme dhe zbatimi i plotë i saj është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në Maqedoni.
Një fakt të tillë, kryeministri Berisha ia ka bërë me dijeni gjatë një takimi që zhvilloi në Zagreb me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, ku të dy kryeministrat rikonfirmuan vendosmërinë e të dy qeverive për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike mes tyre për zgjerimin e thellimin e miqësisë.
Në këtë kontekst, kryeministri Gruevski i bëri me dije kryeministrit Berisha se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dy vendet, pjesë e Korridorit 8, si edhe se së shpejti do të nis hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore që do të lidhë të dy vendet.Kryeministri Berisha e përshëndeti këtë hap të qeverisë maqedonase duke e vlerësuar Korridorin 8 si një infrastrukturë të një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe rajonin. Ai e njohu kryeministrin maqedonas për planet e qeverisë shqiptare për të filluar së shpejti me rrugën Tiranë-Elbasan, si element thelbësor i Korridorit 8 në Shqipëri dhe përfundimin e rrugës së Arbrit, e cila e shkurton me rreth 100 kilometër distancën Shkup-Tiranë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përfunduar edhe pjesën e hekurudhës deri në kufirin me Maqedoninë, duke krijuar kështu mundësinë edhe të këtij transporti shumë të rëndësishëm ndërmjet të dy vendeve dhe më gjerë.
n.e/NOA