English

Berisha: Procedura Transparente Për Përzgjedhjen E Anëtarëve Të Gjykatës Së Lartë Dhe Asaj Kushtetuese

TIRANË, 15 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot procedurat transparente në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kryeministri duke theksuar se Presidenti i Republikës ka përmbushur detyrimin e tij kushtetues dhe ka dekretaur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese, tha se "tani është në tagrin e parlamentit që t'i shqyrtojë dhe miratojë këto kandidatura". "E rëndësishme është që në këtë vend është instaluar një procedurë shumë demokratike dhe shumë herë më transparente se më parë. Presidenti i njohu të drejtën gjykatësve që aspirojnë të zënë vendet vakante dhe ftoi dhe një komision për kriteret e përzgjedhjes. Mendoj se kjo është shumë herë më transparente se praktika e mëparshme", tha Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se "po shkohet drejt konsolidimit të një standardi të ri demokraktik në Shqipëri dhe gjithçka po ecën në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit, jashtë çdo lloj ndërhyrje". Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi të enjten (13 maj) emërimin e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese: Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta. Më 25 janar 2010, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, Kreu i Shtetit bëri të ditur nisjen e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vendet vakante në Gjykatë Kushtetuese dhe dy vende vakante në Gjykatën e Lartë. Deri më 15 shkurt, që ishte dhe afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve nga kandidatët, numri i atyre që konkuruan për këto poste ishte rreth 50-60 individë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë, me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion. Ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Presidenti i Republikës zgjodhi këtë procedurë si dy vjet më parë për të përzgjedhur 8 gjyqtarët në dy gjykatat më të rëndësishme të vendit, pas rastit të vitit 2008 kur pesë kandidaturat e propozuara për vende vakante në Gjykatën e Lartë u rrëzuan në parlament me shumicë votash (16 qershor 2008). Maxhoranca në atë kohë u deklarua se Kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë lidhur me kandidaturat që do t'i përcillte Kuvendit./n.m/
KOMENTE