Tiranë, 16 Maj 2010 NOA – Kryeministri Sali Berisha e ka thumbuar procesin e protestave dhe grevës së urisë të kreut socialist Rama duke mos kursye batutat ndaj tij. Berisha e akuzoi Ramën se ka ngritur një kamping dhe vlerësoi se në të, ca lëngojnë dhe ca lëngojnë.
Më poshtë ndiqni pyetje-përgjigjet e plota:
Z. Kryeministër, ju sapo jeni kthyer nga samiti i Zagrebit, ç’mund të na thoni lidhur me këtë event?
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) zhvilloi në Zagreb takimin vjetor të saj. Risi e këtij takimi ishte përzgjedhja e rajonit të Ballkanit si rajoni, ku do të mbahej ky takim.
Mendoj se kjo përbënte një lajm shumë të mirë. Një nga institucionet financiare më të fuqishme të botës përcakton si përparësi mbështetjen më të fuqishme të ekonomive të këtij rajoni. Në samit merrnin pjesë kryeministrat e disa vendeve të rajonit dhe guvernatorët e të gjitha vendeve anëtare të BERZH-it, përkatësisht ministra të jashtëm ose ministra të financave. Në drekën e punës, në të cilën ne paraqitëm zhvillimet ekonomike në vendet tona, theksova se Shqipëria i ndjeu pasojat e cunamit financiar dhe ekonomik botëror në tremujorin e fundit të vitit 2008. Pati një tërheqje depozitash gjatë vitit 2009, një rënie të eksporteve dhe një rënie të rritjes ekonomike, por e cila mbeti qartësisht pozitive me 3.5 përqind, një inflacion të kontrolluar, deficit buxhetor në parametra të pranueshëm dhe borxh publik. Një kuadër tjetër, thellësisht i ndryshëm me atë të vitit të kaluar, paraqitet këtë vit. Ka një rritje me 140 përqind të eksporteve “made in Albania”. Duhet të pranojmë se në rritjen prej 140 përqind, në vlerën rreth 45 përqind të saj i detyrohet energjisë, por mbi 90 përqind e saj është e palidhur me energjinë. Nga ana e prodhimit të energjisë, ky është një vit i pakrahasueshëm. Deri tani është prodhuar energji më shumë se në të gjithë vitin 2007 a 2008 të marrë sëbashku, pra, ka një prodhim shumë të madh energjie. Theksova se eksportet me material importi kanë rritje prej 27 përqind. Gjatë takimit, i njoha me gjendjen e sistemit bankar shqiptar, ndër më likuidet në botë, po të kemi parasysh se kreditë janë gjithsej 450 miliard, ndërkohë që depozitat janë 718 miliard, që do të thotë se nuk është kredituar më shumë se 60 përqind e depozitave. Kjo përbën një gjendje shumë të shëndetshme. I njoha me vendosmërinë e qeverisë sime për të rritur rrogat e pensionet, në një kohë kur të gjithë të pranishmit aty, njoftonin uljen e tyre. Kontrasti është kontrast, por të vërtetat janë të vërteta. Këto lajme optimiste, në një atmosferë jo dhe aq optimiste, tingëllonin edhe më fuqishëm, edhe më pozitive. Në një seri takimesh kam kërkuar me insistim që BERZH-i, Korporata Financiare Ndërkombëtare apo krahu tregtar i Bankës Botërore, institucione të tjera të rrisin portofolin e financimeve për sektorin privat shqiptar. Kam marrë garanci të plota se kjo do të ndodhë. Veçanërisht interes i madh u tregua për të investuar në fushën e energjisë. Janë 200 kontrata hidrocentralesh të firmosura nga qeveria, 36 prej të cilave kanë filluar nga ndërtimi dhe të tjerët presin financimet. Ministri i Financave, që është edhe guvernatori i vendit në BERZH, është atje. Sot është dita, kur do të diskutohet për Shqipërinë dhe ministri i Financave do të zhvillojë një seri takimesh, për të cilat do t’ju njoftojë pas kthimit të tij, në Tiranë.
Si e konsideroni grevën e urisë që po zhvillon opozita?
Së pari, unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë, dua të siguroj gjithsecilin se kjo qeveri është e vendosur të respektojë dhe të garantojë liritë dhe të drejtat e tyre kushtetuese, përfshirë ato të protestës. Dy javë më parë, vetëm pak metra nga ndërtesat e dy institucioneve kryesore të vendit dhe fare pranë institucionit më kryesor, atë të Presidentit të Republikës, është ngritur një kamping. Ju garantoj se nuk mund të gjendet në planet një situatë e tillë. Kjo sepse çështjet e sigurisë predominojnë gjithnjë. Por ju garantoj se kjo do të respektohet, pikërisht në emër të pikës së parë që shtrova këtu, përsa kohë do të rrinë aty. Unë e kuptoj se kjo i mërzit shumë qytetarët e Tiranës me trafikun, se kjo është në kundërshtim me ligjin. Për të gjitha këto le të përgjigjen ata, të cilët kanë marrë vendimin për ngritjen e kampit të ngujimit në aortën e Tiranës dhe ngjitur me ndërtesat e institucioneve më kryesore të vendit. Përgjegjësia ligjore dhe morale është e tyre. Qeveria do të respektojë të drejtat. Ky është qëndrim i pandryshueshëm, është dëshmi e një standardi demokratik të paprecedent. Nuk mund të them se do të liroj zyra në kryeministri, ndonëse, nëse ndonjëri prej jush e do, edhe mund ta bëj këtu në kat të parë, por unë do t'i respektoj plotësisht. Tani janë krijuar edhe gazetarët e grevës. Së treti, një thirrje dhe apel zyrtar dhe njerëzor ndaj zotit Rama. Të lejojë urgjentisht ekipet shëndetësore zyrtare të kontrollojnë secilin nga grevistët, edhe ata që lëngojnë, edhe ata që këndojnë. Nuk duhet të pengohet kontrolli shëndetësor i tyre. Qytetërimi perëndimor, demokracitë perëndimore kanë përpunuar dhe firmosur konventa, të cilat janë mishëruar edhe në Kushtetutën e ligjet e vendit, por ka prej tyre që janë ndërkombëtare dhe prevalojnë mbi të gjitha, siç është ajo e trajtimit të të burgosurve, e trajtimit të robërve të luftës, e trajtimit të grevistëve. Në asnjë rrethanë nuk mund t’i mbyllësh dyert shërbimit zyrtar shëndetësor. Kjo përbën aktin më të rëndë, më ekstrem, më të paprecedent në historinë e kampeve të përqendrimit, të burgjeve dhe të grevave, kur je i detyruar për të treguar se nuk ke gjë personale për të fshehur, je i detyruar ta trajtosh me një komision zyrtar shëndetësor dhe jo me fanatikë militantë. Kjo është shumë e gabuar. Nuk duhet të detyrojë parlamentin dhe qeverinë të marrë të gjitha vendimet. Kjo është çështje shëndeti. Ata njerëz kanë marrë vendimin, por trajtimi duhet të jetë human. E drejta kushtetuese e trajtimit dhe mjekimit është e patjetërsueshme. Ky është bulevardi i një vendi të lirë, i një shoqërie të lirë, e vendosur të respektojë çdo standard ndërkombëtar dhe ligjet e vendit. Zoti Rama përse ke frikë nga bluzat e bardha të sistemit shëndetësor? Ju vetë jeni shprehur se ata të presin me njerëzi në spital. Atëherë, çfarë fshihet në këtë qëndrim, në këtë terr që vendos ndaj të ngujuarve? Edhe një herë thirrja ime është që me urgjencë, të hapen fletët e mbyllura të çadrave për bluzat e bardha, sepse janë më të domosdoshëm, sesa gazetarët, që flenë me ta. Është normale që gazetarët të kalojnë një natë me ta, por problemi është se bluzat e bardha nuk mund të zëvendësohen nga gazetarët. Duke u futur ekipet mjekësore, ato, në mënyrë të pavarur, do të informojnë opinionin dhe do të bëjnë transparencën. Zoti Rama kërkon transparencën e kutive dhe nuk bën transparencën e çadrave. Transparenca është një dhe e pandarë. Së katërti, e ftoj zotin Rama që të pranojë zgjidhjet e ngërçit, të ofruara nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Komiteti Presidencial. Kjo sepse këto institucione u pranuan nga të dyja palët bashkërisht, po ashtu rezoluta e tyre u pranua nga të dyja palët bashkërisht, delegacioni presidencial u pranua nga të dyja palët dhe tryeza u organizua në zyrën e Presidentit të Republikës. Deklarata e Byrosë Parlamentare, në vijim të deklaratës të Komitetit Presidencial, është dokument i shkëlqyer për t’i dhënë fund çdo ngërçi, për atë që do që t’i japë fund. Kjo deklaratë krijon mundësi të plotë për transparencën më të madhe dhe respektin e plotë të Kushtetutës, vendimet e Gjykatës së Kushtetuese, pavarësisë së gjykatave, respektit të ndërsjellë të pavarësisë së institucioneve, transparencën e plotë. Unë gjykoj se kjo përbën një dokument solid, në interesin më të mirë të të gjitha forcave politike. E ftoj zotin Rama të bashkëpunojë në përputhje të plotë me deklaratën e Komisionit Europian, transparencë në respekt të Kushtetutës së vendit, parim themelor i së cilës, është ndarja e pushteteve. E kam theksuar dhe e theksoj se ky është një vend i lirë dhe ka të gjitha mekanizmat për transparencë të plotë të çdo dokumenti që ekziston në arkivat më sekrete të tij. Dhe kur vjen problemi këtu, opozita ka të drejtat e saj të pamohueshme, mjafton që ajo të respektojë rregullat dhe ligjet e vendit. Gjatë këtyre dy ditëve, kam dëgjuar të flitet, të shkruhet, për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj.. Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor, për këtë problem. Më duhet t’ju rikujtoj se Bashkimi Europian në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët dhe unë e kam përshëndetur dhe e përshëndes këtë qëndrim dhe e garantoj BE-në dhe çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e shtetit ligjor, mjafton respektimi i tyre, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë këtij problemi dhe çdo problemi tjetër. Gjithçka tjetër jashtë kësaj që thashë, është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin. Në mënyrë absolute është gënjeshtër, që ka në bazë mashtrimin. Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi. Në tryezën e Presidentit të Republikës, Komiteti Presidencial ka sugjeruar që të ngrihet komisioni, ndërkohë ka sugjeruar se mund t’i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ishte Presidenti i Republikës, ai që kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe natyrisht, unë e mbështeta. Kryeministri i vendit nuk mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e gjykatave të vendit, sepse ai mbart një pjesë të sovranitetit të vendit, si përfaqësues i maxhorancës. Por edhe gjykatësit, me Kushtetutën e vendit, mbartin një pjesë të sovranitetit, të cilën Kryeministri është i detyruar ta respektojë gjer në fund dhe jo të shkojë t’i padisë poshtë e lart. Kjo është e vërtetë absolute edhe për Presidentin e Republikës, edhe për Kryetarin e Parlamentit. Ai që ka ankesë, është ai, i cili mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, në ligjet e këtij vendit, të shkruara nga Partia Socialiste, në Kushtetutën e vendit është shpallur si garante e Kushtetutës. Pra, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe zoti Rama, në rast se dëshiron, mund t’i drejtohet kësaj Gjykate, e cila është e vetmja që, në respekt të sovranitetit të vendit dhe të Kushtetutës, ka tagrin të kërkojë mendim amicus curiae apo opinion për qëndrimin e vet. Unë nuk mund të dërgoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos u hetuar Edi Rama, vendim të cilin, Gjykata e ka zbardhur para dhjetë ditësh. Nuk më pëlqen vendimi, por jam i detyruar ta respektoj. Edhe unë mund të doja ta dërgoja diku këtë vendimin për ta rrëzuar, por nuk më shkon në mendje ta bëj këtë. Kuadri ynë kushtetues e ligjor është kuadri kushtetues e ligjor i një vendi demokratik. Spekulimet dhe spekulatorët nuk kanë asnjë hapësirë dhe nuk do të mund të kenë. Ndaj Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës kanë përcaktuar qartë transparencën, në përputhje me Kushtetutën e vendit.
A jeni ju të hapur për dialog si mazhorancë?
Ne, absolutisht, mbetemi të hapur për dialog dhe diskutim. Ne mbetemi të hapur të zbatojmë me përpikëri të gjitha detyrimet tona, në përputhje me Kushtetutën e ligjet, vendimet e gjykatave, për dhënien fund të kësaj situate. Sikundër mbetem i vendosur të respektoj kampingun e ngritur në dyert e kryeministrisë, përsa kohë zoti Rama do të dojë ta mbajë. Kjo është në tagrin e tij. Protestat paqësore do të kenë vetëm respekt. Me këtë rast, dua të përgëzoj policinë për shkallën e lartë të profesionalizmit, të përgjegjësisë dhe në përputhje të detyrës.
Ju thatë se nuk ekziston një draft marrëveshje, por si e komentoni ju deklaratën e ambasadorit të OSBE-së Robert Bosch, nëse i referohen edhe ai deklarimeve të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës dhe ndoshta edhe Byrosë Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe a keni pasur presion nga ndërkombëtarët për ta zgjidhur këtë çështje?
Së pari, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kryeministri në axhendën e tij nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Të jem i hapur me ju, kjo nuk është në axhendën time dhe në tërësi, ju e dini se unë nuk e kam bërë këtë ndonjëherë. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen. Por në tërësi axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës, deklaratën e Komisionit Europian, kam kërkesat e parashtruara ndaj meje, gjatë vizitës sime në Bruksel, të cilat i kam bërë transparencte, bashkë me zyrtarët më të lartë të Brukselit, në konferencë për shtyp.
Së dyti, nuk mund të më bëjë presion njeri. Kjo të jetë jashtë ço lloj mendimi dhe ju duhet të jeni të sigurt se presion, për të cenuar parimet themelore kushtetuese të një vendi, nuk pranoj nga askush, por, të jem i sinqertë, nuk ka njeri që të më ketë bërë një presion të tillë. Kategorikisht jo. Të jeni të sigurt, në asnjë rast. Meqenëse po gjykojmë këtu, momenti më i vështirë ishte ai i afatit gjashtëmujor të mandateve, sepse nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Unë nuk kam pasur asnjë presion për të mos respektuar përcaktimin kushtetues gjashtë mujor. Kjo, sepse burrështetasit e çdo vendi maten me Kushtetutën. Madje ka ndodhur diku që një zyrtar të thoshte është gjashtë muaj ajo nuk gjashtë muaj, eprori i tij, në prani të përfaqësuesit tonë, i tha Kushtetuta thotë gjashtë muaj, gjashtë muaj është, se nuk mund të ketë dy gjashtë muaj. Edhe në këtë moment, i cili do të ishte dramatik në rrafshin politik, pasi nuk kishte ndodhur ndonjëherë të digjeshin mandatet kolektivisht, unë, së pari, falënderoj deputetët e Partisë Socialiste, të cilët me presionin e tyre bënë që të hynin në parlament dhe për këtë më ka ardhur shumë mirë. Mund të kenë pasur edhe presion ndërkombëtar, këtë nuk e di, nuk mund ta them. Unë, personalisht, nuk kam pasur as edhe presionin më të vogël, për të mos respektuar afatin gjashtëmujor. Sikundër ia kam bërë të qartë të gjithëve që Kushtetuta nuk do të mbahej peng. Nuk besoj t’u kishte premtuar kush atyre se do të thyenin afatin. Mesa di unë, ajo gjuhë që është përdorur me ne, është përdorur edhe me ata.
Zoti Kryeministër, ju thatë se nuk do të ndërhyni për kampingun përpara kryeministrisë, por deri kur mund të lihet i bllokuar bulevardi?
Për mendimin tim, do të ishte mirë të kishin dalë para piramidës, sepse nuk do të lëndonin qytetarët. E morën si një kast për të dalë përpara dritareve të mia. Unë, absolutisht, jam i gatshëm t’u jap hapësira ku të duan, në qoftë se ata vendosin të heqin dorë nga lëndimi i qytetarëve. Sikundër jam i gatshëm t’i respektoj aty, ku janë. Unë jam njeri që hapat e para të jetës sime në politikë i kam bërë me protestën dhe në protestë. Kështu që në këtë aspekt, nuk mund të bëhem një tjetër, 20 vjet më vonë. Mbetem ai që kam qenë.
Vërtet është bllokuar bulevardi dhe pengon qytetarët e Tiranës, por tentativa e fundit për të bllokuar të gjitha akset rrugore kombëtare, është një sinjal jo i mirë për pushuesit që zgjedhin Shqipërinë për të ardhur.
Së pari, dua të garantoj pushuesit dhe shqiptarët se akset do të jenë plotësisht të kalueshme. Edhe pse është pranuar ky segment, i cili, vërtet, është një segment nevralgjik për Tiranën dhe që mund të pastrohej brenda një gjysmë ore, vetëm me pretekstin e sigurisë. Edhe sikur të mos ishte fare çështja e trafikut, vetëm ky do të ishte i mjaftueshëm, pasi preteksti i sigurisë është pretekst madhor për çdo vend sot, por kjo nuk është bërë. Ka prevaluar vullneti im i hekurt për të respektuar të drejtën e protestës, por edhe atë kënaqësi që mund t’u japë njerëzve qëndrimi tek shkallët e Kryeministrisë. Është zgjedhja e tyre, jo e imja. Ndërsa akset nuk do të tolerohen. Do të jetë ligji, ai që do të veprojë me vendosmërinë më të madhe. Rrugët nuk janë të Sali Berishës. Sali Berisha i ka të gjitha mjetet e udhëtimit, por hallexhinjtë nuk i kanë. Ndaj mos i dil përpara hallexhiut. Rrugët janë të publikut, të qytetarëve që kanë njëmijenjë halle për të zgjidhur. Askush nuk udhëton kot. Secili udhëton për një problem, një çështje, një hall, një dert, pa folur kur është urgjencë a funeral, siç edhe ka ndodhur. Rrugët nuk janë as të qeverisë, as të opozitës, por janë të publikut. Këtu para, mund të qëndrojnë.
Zoti Rama ka deklaruar se pa transparencën e këtyre zgjedhjeve, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. A e shikoni këtë lëvizje politike si një tentativë për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe sa do të ndikojë kjo për vendin?
Se çfarë vendos zoti Rama është në tagrin e tij. Detyra e Kryeministrit të vendit është të krijojë të gjitha kushtet, të përcaktojë të gjitha fondet për zhvillimin e zgjedhjeve. Një gjë është e sigurt, që zgjedhjet do zhvillohen. Kjo nuk ka asnjë lloj komenti. Në datën dhe ditën, që kreu i shtetit, në përputhje me Kushtetutën, të përcaktojë ditën e zgjedhjeve, Shqipëria do ketë zgjedhje, sipas të gjitha standardeve, pavarësisht se dikush thotë marr pjesë, dikush thotë s’marr pjesë. Këto janë në vullnetin e tyre, nuk ka detyrim ligjor. Thjeshtë, duhet të ketë procedura ligjore, të ndershme për zgjedhjet.
Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk keni draft në tryezën tuaj A do të pranonit, në rast se do të vinte një draft që do të kërkonte hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, a do të diskutonit mbi këtë pikë?
Në tryezën time kam dokumentet ndërkombëtare, kam deklaratën e Byrosë Parlamentare, të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, institucione këto thellësisht të balancuara majtas dhe djathtas, madje Komiteti ishte më shumë majtas, se djathtas, si dhe deklaratën e Komisionit Europian, i cili është një institucion thellësisht i balancuar. Jam i gatshëm, mbi këto dy dokumente dhe komisioni që kemi ngritur, të punoj plotësisht. Të garantoj se asgjë nuk mund të zëvendësojë Këshillin e Europës dhe kjo për këto arsye: Së pari, nuk duhet të harroni që ky institucion është themeluar mbi zgjedhjet e lira. Kriteri i parë më themelor i tij, në vitin 1949, kanë qenë zgjedhjet e lira, kur është bashkuar një grup vendesh që bënin zgjedhje të lira. Së dyti, Shqipëria është në monitorimin e këtij institucioni dhe kjo është reale. Së treti, ky institucion miratoi një rezolutë, të cilën e përshëndetën pozita dhe opozita. Nuk është kurrë në moralin tim, që të të pranoj për kryeplak dhe të të rruaj mjekrën. Këtë mund ta bëjnë të tjerët, por jo unë. Unë fjalën e kam fjalë. Ky është qëllimi im. Komisioni Europian ka deklaratat e tij, të përsëritura, të cilat unë i kam pranuar plotësisht.
Qeveria ka marrë një vendim pak surprizë për ata që ndjekin ekonominë, për shitjen e hotel Dajtit, për 30 milion euro, Bankës së Shqipërisë. Për çfarë arsye dhe mos ka të bëjë kjo, vallë, me vonesën e nxjerrjes së eurobondeve?
Absolutisht, kjo ka zero lidhje me atë që thoni ju. Banka e Shtetit kishte nevojë të zgjerohej. Fillimisht, siç edhe e dini, unë kam qenë për t’ia dhënë Ministrisë së Jashtme. Por Ministria e Jashtme e gjykoi për shkak të hapësirave, pasi aty, ku është, ka një hapësirë përreth 1000 metra më të madhe, apo diçka të kësaj natyre. Që ta prishja hotel Dajtin dhe të ndërtoja një Ministri të Jashtme, të jem i sinqertë, nuk e kisha planifikuar. Ne do të ndërtojmë Gjykatën e Lartë, ndërsa ministritë do rregullohen me ndërtesat që kemi. Kështu që, për këtë arsye, për dijeninë tuaj, ky proces ka filluar shumë më para eurobondeve. Meqenëse pyetët, lidhur me eurobondet, ka një shtyrje të procesit, por kjo është normale. Çdo qeveri në Europë e ka shtyrë procesin, edhe ato që janë 2 A. Madje pati prej tyre që, kur borxhi grek u shpall junk status, u çuan fjalë ndërmjetësve që po tërhiqeshin. Ne nuk u tërhoqëm. Tani, pas vendimit të BE-së dhe FMN-së për të bërë bailout-in e sistemit financiar grek, tregjet po dalin nga një shastisje, nga një kalamendje e vërtetë, që pësuan pas deklaratës të Standard and Poor’s për junk status, për sistemin financiar grek. Kështu që, është duke u përmirësuar, gradualisht po vjen entuziazmi, natyrisht, nuk do ketë entuziazëm të madh, të jemi të sigurt për këtë, sepse nuk është vetëm ekonomia greke, po përfliten edhe disa ekonomi. Ju e dëgjuat që vendimi i parë i qeverisë së Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Cameron, ishte ulja e rrogave. Pra, mesa duket, ne do mbetemi të vetmit me rritje rrogash, këtë vit.
Si e shikoni dorëheqjen e deputeti Arben Malaj nga greva e urisë?
Ai kënd administrohet nga zoti Edvin Rama. Unë nuk kam as edhe interesin absolut më të vogël, se kush hyn apo del, kush rri apo ikën. Ato janë çështje të tyre. Për më tepër, nuk kam dëgjuar as se ka dalë, as se nuk ka dalë.
Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk komentoni mbi deklaratat e ambasadorëve të huaj. Por, a u ndjetë ju i habitur kur dëgjuat ultimatumin e ambasadorit Bosch, që në tryezën tuaj dhe të zotit Rama ndodhet një draft, të cilin ju do ta firmosni. Dhe e dyta pak ditë më parë, zoti Topi ka dekretuar tre emra për në Gjykatën Kushtetuese. A do t’i votojë maxhoranca këto tre kandidatura?
Edhe njëherë, dua të theksojë se unë i respektoj shumë ambasadorët, gjithnjë në proporcion me respektin që ata tregojnë për vendin, institucionet, standardet demokratike të tij. Sepse, unë nuk them se kam miqësi personale me këtë apo atë, edhe mund të kem, ka pasur raste që kam, nuk përjashtohet mundësia. Kështu që, qëndrimi im është ky që thashë. Ajo që unë ju siguroj është se në tryezën time, përveç dy dokumenteve, propozimit të komisionit dhe Këshillit të Europës, ekziston zero dokument tjetër. Për më gjatë mund të të sqarojë zoti Edi.
Së dyti, unë mendoj se Presidenti i Republikës ka përmbushur detyrimin e tij kushtetues, ka dekretuar, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, kandidaturat. Po në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, është parlamenti që do t’i shqyrtojë një nga një ato. Një gjë mund t’ju them, se në vende me demokraci më të konsoliduar në botë, prore ndodh që parlamenti të mos votojë ato që dërgon presidenti. Ishte i famshëm rasti dhe jo shumë larg, kur janë tërhequr tre prokurorë njëri pas tjetrit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse senati nuk i pranonte ata, me problemet që dilnin. Apo raste të tjera me gjykatës. E rëndësishme është që në këtë vend është instaluar një procedurë, që, për mendimin tim, shumë e bukur, demokratike dhe transparente, shumë herë më shumë, sesa ishte përpara. Presidenti shpalli dhe njohu të drejtën e gjykatësve që aspirojnë për të zënë vendet vakante që krijohen, ftoi edhe një komision, siç e keni parë në media, për të përpunuar kriteret që u sugjeruan aty. Dhe kjo mua më dukët se është shumë herë më transparente, sesa praktika e përparme, kur presidenti futej pas perdes, me përfaqësues të pozitës dhe opozitës, pëshpëritnin në vesh të njëri tjetrit dhe nxirrnin kandidaturat. Cila mendoni se është më demokratike? Ndaj unë them se po shkohet drejt konsolidimit të një standardi të ri, demokratik në Shqipëri. Dhe kjo është shumë normale. Parlamenti i vendit është sovran. Presidenti i vendit ka tagrin kushtetues, ndërsa ai ka sovranitetin e tij. Gjithçka do të ecë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, jua garantoj jashtë çdo lloj ndërhyrjeje. Tek Presidenti i Republikës, në mënyrë kategorike, nuk është bërë asnjë lloj ndërhyrjeje nga ky ekzekutiv. Parlamenti, jashtë çdo lloj ndërhyrjeje, do të marrë vendimet e veta. Ky është një vend që ka standardet e tij dhe përfiton nga shembulli më i mirë i vendeve të tjera.
Zoti kryeministër, në rast se vjen një propozim nga PS-ja për konsensus, duke kërkuar transparencë nëpërmjet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ju jeni dakord? A ka vend për diskutim tek kjo çështje apo kjo është çështje e mbyllur?
Ky është vend i shtetit ligjor. Ligjet e tij kanë përcaktuar, Kodi Elektoral, një nga Kodet më të mrekullueshme të vendit, ka përcaktuar çdo gjë, për kutitë e materialeve, për kutitë me fletë votimi, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë, që do të thotë se nuk ka nevojë t’i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Të zbatojmë ligjet dhe kaq. Kemi krijuar një komision, zbatojmë ligjet. Nuk mund të them asgjë, nuk jam unë anëtar i atij komisioni, unë jam Kryeministri që kërkoj të zbatohen ligjet. Ligji i ka të përcaktuara të gjitha. Ne jemi shtet ligjor. Në arkivin e PD-së ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të gjitha tabelat, sepse ligji ua jep komisionarëve, ua jep ligji të gjitha. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo përcaktim ligjor. Kjo është përgjigja ime.
Një nga kërkesat e Partisë Socialiste është zgjedhja me shumicë të cilësuar e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si e gjykoni?
Në asnjë vend të botës nuk ekziston kjo. Ekziston një përcaktim kushtetues, i cili thotë se këto persona zgjidhen me tre të pestat. Çdo tentativë tjetër do të ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit. Ne jemi të vendosur të zbatojmë Kushtetutën. Me reformat e mrekullueshme që bëmë me zotin Rama, sepse unë absolutisht nuk i mohoj kujt asgjë dhe asnjëherë, i bëmë vendit një shërbim të madh, e shpëtuam nga kriza presidenciale, që fillonte dy vjet para zgjedhjes së Presidentit, kur vërshonin kandidaturat, me gjithë maninë që kemi që gjithsecili prej nesh të jetë atje sipër, pavarësisht se ku jemi, çka e bënte një proces me vuajtje. Ne bëmë zgjidhje. Tani nuk besoj që zoti Rama të jetë penduar për këtë. Jo, nuk e kam ndier të pendohet.
Ju deklaruat që nuk keni një draft në tryezën tuaj, por a e keni pyetur zotin Meta, mos e ka ai këtë draft?
Për Zëvendëskryeministrin ju garantoj se nuk ka asnjë draft dhe kur flas unë, flas në emër të qeverisë dhe timin. Jo, nuk ekziston. Ekziston vetëm në gazetat dhe në mediat tuaja.
FUND