English

Berisha takon Zëvendëspresidentin e IFC: Investime në fushën minerare

Zagreb, (Kroaci) 15 maj, NOA – Korporata Ndërkombëtare Financiare do të investojë në Shqipëri në fushën minerare. Mundësia e investimeve i është shprehur Kryeministrit Sali Berisha gjatë qëndrimit në Zagreb, ku u takua me Rashad Kaldany zv/presidentin e IFC-së për Azinë, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe Giovanni Daniele përfaqësuesi rajonal i IFC-së.

Rashad Kaldany, zv/presidenti i IFC-së për Azinë, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe e siguroi kryeministrin Berisha se IFC do të angazhohet në financime edhe më të mëdha në fushën e energjisë, minierave dhe sektorëve të tjerë me interes për vendin, raporton zyra e shtypit e kryeministrit.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin që IFC ka dhënë në realizimin e një sërë projektesh në Shqipëri, si dhe asistencën që IFC i ka dhënë qeverisë në proceset e privatizimit dhe financimet në sektorin privat. Berisha ka vlerësuar edhe kontributin e IFC-së në koncesionimin e rrugëve

Kryeministri Berisha e ka cilësuar të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me IFC dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej. Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin në fushën energjisë, ku aktualisht janë të firmosura kontratat për ndërtimin e 200 hidrocentraleve.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha e konsideroi të mirëpritur kredititim e investitorëve privat, sidomos në fushën e hidroenergjisë. Po kështu kryeministri Berisha përmendi si fusha me interes për mbështetje nga IFC industrinë e minierave, ku janë angazhuar kompani të mëdha.

m.xh/NOA

KOMENTE