Doda: Edi Rama Ka Frike Të Hyjë Në Grevë Urie
TIRANË, 15 Maj/ATSH/.- Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda tha sot në një deklaratë për shtyp se, "Edi Rama ka frikë të hyjë në grevë urie".
"Kryetari socialist, i përbetuar se do vinte në shërbim të kauzës edhe trupin e tij, pasi foli e përfoli gjatë gjithë ditës grevën e urisë që do të fillonte ai vetë, qau për fëmijët e grave që e kanë mamin pa bukë në mes të rrugës dhe më pas, mori lule dhe vrapoi të hante supën e ngrohtë të mamit", tha Doda.
Duke iu drejtuar grevistëve ajo tha se "sakrifica juaj ishte e destinuar të ndeshej me zhgënjimin e sjelljes së një burri që ju la vetëm për disa herë me radhë në këtë teatër politik, që ju po konsumoni para syve tanë".
"Qirinjtë e munguar të tortës së ditëlindjes së një fëmije janë një apel i madh për rikthimin pranë familjarëve tuaj, të cilët nuk e meritojnë këtë sakrificë për kapriçon e kryetarit tuaj, u shpreh deputetja Doda. /a.s//n.m/