Durrës: Ankorohet Në Port Me 5 Orë Vonesë Trageti Arbëria
DURRËS, 15 maj /ATSH-G.Kabashi/ - Trageti Arbëria që u bllokua në radën e Durrësit për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar është ankoruar pasditen e sotme në kalatat e portit më të madh të vendit.
Burime zyrtare nga kapiteneria e këtij porti, bënë të ditur për ATSH-në se dy tragete të tjerë që mbërritën nga Bari u ankoruan pa probleme sot rreth orës 9.00, ndërsa dallgët e mëdha penguan për disa orë hyrjen në basenin portual të tragetit Arbëria. Trageti me rreth 60 udhëtarë dhe mjaft kamionë në bord u strehua përkohësisht, pë t'u mbrojtur nga era, pranë Kepit të Rodonit, rreth 20 milje larg Durrësit.
Shtrëngatat e shiut dhe era e fortë që nisën sot në orët e para të mëngjesit kanë krijuar probleme veçanërisht për anijet tregtare shqiptare që ndodhen në radën e këtij porti.
Anija Emelia, me kapacitet 5000 ton, së cilës në orët e para të mëngjesit iu shkëput spiranca, është bllokuar rreth 150 metra larg bregut, në një nga cektinat e rërës, përballë sektorit Teuta në plazhin e Durrësit.
Burimet nga kapiteneria e këtij porti thanë për ATSH-në se janë marrë masa për 8 anijet e tjera që ndodhen në radën pranë portit, ndërsa për shkak të erës së fortë nga juglindja vazhdon të jetë e bllokuar puna e elektrovinxhave të ngarkim-shkarkimit./ch/