Prishtinë, 15 maj, NOA - "Në disa rajone ka rikthim të sinjalit, por fuqia bartëse apo transmetuese e atij sinjali është e parëndësishme", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ekrem Hoxhaj, udhëheqës i Autoritetit Kosovar Rregullator të Telekomunikacionit.
“Ne e kuptojmë se aksioni ynë ka shkaktuar revoltë dhe ndodhinë e këtyre dëmeve dhe jemi duke e trajtuar në qoftë se ekziston ndonjë mundësi ligjore, do të adresohen kërkesat e operatorëve të licencuar”, pohon ai.
Zoti Hoxha, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), ka nisur në muajin prill një aksion për mënjanimin e antenave të operatorëve ilegalë. Cili është rezultati i këtij aksioni disa javë pas? Rezultati është se të gjitha stacionet bazë, apo pajisjet telekomunikuese që kanë qenë subjekt i aksionit, janë ndaluar dhe janë sekuestruar nga autoriteti në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Nga 28 stacione bazë të planifikuara, 26 janë realizuar në masën e planifikuar, apo qind për qind dhe vetëm një ka mbetur pa u kompletuar për shkak të vështirësive teknike, të cilat kanë rezultuar në terren. Sa i përket gjendjes tani, disa javë pas aksionit, ka disa aktivitete të ndërmarra nga operatorët edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, kryesisht në zonat kufitare ku kanë bërë rritjen e fuqisë transmetuese, apo fuqisë së sinjalit dhe kanë bërë ridrejtimin e antenave pranuese në brendi të territorit të Kosovës që nuk kanë qenë subjekt i aksionit të parë. Dhe për efekt, në disa rajone ka rikthim të sinjalit, por fuqia bartëse apo transmetuese e atij sinjali është e parëndësishme për rregullatorin e për sektorin në telekomunikacion, pasi që nuk mund të përdoret në mënyrë kualitative ai rrjet, apo ajo infrastrukturë që ka mbetur në shfrytëzim. Çfarë mund të bëni ju, mund të vendosni gjurmues apo diçka të tillë për t’i ndalur, meqë këto antena janë jashtë kufirit të Kosovës? Sa i përket pajisjeve jashtë territorit, nënkuptohet se ART-ja nuk ka kompetencë, por ART-ja ka bërë të ditur edhe në muajin prill, pas përfundimit të aksionit apo fazës së parë për ne, siç quhet në trajtim i brendshën, se aksioni mbetet i hapur dhe do të vazhdojë. Do të njoftohen operatorët ilegalë dhe personat që qëndrojnë prapa tyre se aksioni do të vazhdojë, do t’u jepet një afat kohor 30 ditor që ata t’i largojnë pajisjet transmetuese të mbetura që janë të njohura për ne. Po qe se nuk i ndërmarrin ato veprime si të udhëzuara me ligj nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, atëherë ART-së nuk i mbetet mundësi tjetër përveçse të vazhdojë fazën e dytë, ku janë 12 stacione bazë të identifikuara nga matjet e ekipeve tona profesionale në terren. Sa i përket gjurmuesve, ajo është masa e fundit dhe nuk është një masë, ta quaj, popullore, apo një masë e rekomanduar nga Rregullatori, meqë i ka vështirësitë e veta teknike për t'u implementuar. Po të eliminohen këto 12 stacione të mbetura, atëherë nuk hyjnë funksion as ato pajisje jashtë territorit, përveçse në zonat kufitare që mbetet sinjali dhe ai sinjal nuk mund të bllokohet me mbushëse telekomunikacioni, frekuencat janë të lira. Ku gjenden këto 12 stacione që po i përmendni? Janë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përjashtuar veriun edhe kësaj radhe, për arsye se ne nuk kemi qasje të mjaftueshme ose siguri të mjaftueshme në këtë fazë për të bërë matjet e duhura dhe për të pasur një plan të mirëfilltë veprimi. Por, edhe atje ne do ta mbajmë prapë aksionin e hapur dhe kjo nuk domethënë se aksioni nënkupton veprimin e menjëhershëm, por do të monitorohen zhvillimet dhe pas fazës së dytë, do të shohim se a ka nevojë të ndërmerret edhe në veri një veprim. Megjithatë, infrastruktura apo bërthama e rrjetit të operatorëve ilegalë është paralizuar edhe me aksionin e parë. Faza e dytë është vetëm për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë këtë temë, e cila nuk mund të hapet përpos me procedura dhe rrugë ligjore. Keni kërkuar ndihmën e mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qasje në pjesën veriore të Kosovës? Edhe faza e parë, tash si po e quajmë në vokabularin tonë, ka qenë e koordinuar me faktorin ndërkombëtar. Ndoshta nuk është trumbetuar mjaftueshëm për mediat dhe publikun, sepse faza e parë ka qenë çështje konfidenciale. Në fazën e dytë strategjia ndryshon, do të jepen 30 ditë njoftim dhe do të kërkohet mbështetja koordinuese dhe, ta quaj, mbështetja nga misioni EULEX, KFOR-i, nga Ambasada Amerikane dhe të gjitha palët e interesuara që ta bindin komunitetin serb dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi se aksioni nuk është i drejtuar ndaj qytetarëve, por është fuqizim i ligjshmërisë në Republikën e Kosovës. Ka pasur reagime shumë të mëdha pas aksionit tuaj, sidomos nga Beogradi, duke thënë se ky aksion bën që të izolohen serbët. Keni mundësuar komunikimin e banorëve serbë që deri më tani kanë mbajtur numrat e operatorëve ilegalë? Asnjëherë e drejta e komunikimit nuk është cenuar. Qytetari është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij individuale dhe ART-ja në asnjë masë, në asnjë rrethanë nuk e ka penguar atë të drejtë. Është çështje e perceptimeve, e gjykimeve dhe e përdorimit për nevoja politike apo nevoja interpretimi nga këndvështrime të ndryshme, por për ART-në kjo çështje nuk qëndron aspak. Nuk është temë e trajtimit, për arsye se çmimet janë më të ulëtat në rajon, tregu është konkurrues dhe ka ofertë nga 4 operatorë të licencuar, ndërsa qytetari mund të bëjë zgjedhjen e tij. Zoti Hoxha, ka pasur zëra se institucionet në janë negociata për të licencuar një kompani serbe të telefonisë mobile. Çfarë ka të vërtetë në këtë mes? ART-ja nuk është e përfshirë dhe nuk është në dijeni të asnjë negociate, apo të asnjë zhvillimi, në atë drejtim në kanale zyrtare. Këto negociata politike nuk mund të zhvillohen. Adresa e vetme për të zgjedhur ndonjë iniciativë ligjore apo komerciale, qoftë edhe nga komuniteti apo etniteti serb, është ART-ja. Në ART nuk ka asnjë kërkesë, asnjë bisedim për zhvillime të tilla dhe nuk kemi prononcim tjetër. Ka gjasa që të licencohet edhe ndonjë telefoni tjetër mobile? Jo, nuk ka, sepse është procedurë goxha e gjatë, që nuk është në planet rregullatore të ART-së. Kështu që nuk ka mundësi ligjore të licencimit të operatorit mobil, qoftë edhe operatorëve serbë. Zoti Hoxha, e përmendët ju më herët vazhdimin e aktiviteteve të operatorëve ilegalë jashtë kufijve, megjithatë në Graçanicë, para disa ditësh janë arrestuar disa punëtorë të Telekomit serb. Çfarë është bërë me ta? Si rrjedhojë e një aktiviteti, një tentative për të bërë disa punime teknike në një stacion në Sushicë, në mos gabohem, policia ka ndërmarrë veprimin për arrestim, por pas sqarimeve, ata qytetarë janë liruar me procedura të rregullta të policisë. Ne kemi bërë incizimin në terren në atë pikë dhe kemi konstatuar se nuk ka rikthim të pajisjeve bazë. Ka disa punime teknike, po që nuk janë të rëndësisë për rikthim të sinjalit. Pothuajse çdo ditë njoftimet e ART-së janë se do të ketë dënime për ata që mundësojnë sinjalin e operatorëve ilegalë. Çfarë janë ato dënime? Dënimet në rastin e operatorëve ilegalë janë masa e fundit - sekuestrimi. Në rastin kur kemi të bëjmë me operatorë të licencuar, apo qytetarë që nuk janë të organizuar në formë të shoqërisë apo ndërmarrjes dhe zhvillojnë veprimtari komerciale në sektorin e telekomunikacionit, në momentin që ART-ja vihet në dijeni, apo konstatohen interferencat, zhvillimi i aktivitetit ilegal do të jetë subjekt i penaliteteve nga Ligji i telekomunikacionit. Ato dënime dhe penalitete janë të parapara me urdhëresën administrative dhe janë dënime shumë të larta proporcionale për sektorin e telekomunikacionit në proporcion me të hyrat që realizohen dhe ART-ja ka ndërmarrë mjaft në atë drejtim. Zoti Hoxha, përmendët si masë të fundit sekuestrimin. Keni sekuestruar deri më tani ndonjë pajisje? Po, pikërisht në aksionin e parë. ART-ja do të bëjë vlerësimin e pajisjeve të sekuestruara. Gjithë infrastruktura kryesore ta quaj, telekomunikuese është sekuestruar në ato 26 stacione bazë, përfshirë edhe linçet dhe transmetuesit apo antenat point to point, siç njihen te ne. Ato janë nën administrim të ART-së dhe nën procedura të rregullta të parapara me ligjin, do të administrohet shitja e atyre pajisjeve dhe ato mjete do të derdhen në buxhetin e Republikën e Kosovës. A do të ketë kompensim për antenat e operatorëve legalë që u hodhën në erë në veri të Mitrovicës? Kjo është një temë që është duke u trajtuar dhe do të merret në konsideratë nga ART-ja. Ligjet në fuqi, Ligji i telekomunikacionit dhe rregulloret e ART-së nuk parashohin ndonjë mundësi të kompensimit në këso rrethana për shumë arsye. Por, arsyeja kryesore është se bizneset duhet të përkujdesen vetë për sigurimin e aseteve dhe infrastrukturës së tyre. Ne e kuptojmë se aksioni ynë ka shkaktuar revoltë dhe ndodhinë e këtyre dëmeve dhe jemi duke e trajtuar në qoftë se ekziston ndonjë mundësi ligjore, do të adresohen kërkesat e operatorëve të licencuar.
Radio “Europa e Lirë”