Elbasan, Sport/ Bylis- Kampion I Kategorisë Së Parë, Elbasani Ngjitet Në Superligë
ELBASAN, 15 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/.- Ka përfunduar me rezultatin 8-4 ndeshja e fundit e kampionatit kombëtar të kategorisë së parë në futboll mes ekipit të Elbasanit dhe Bylisit të Ballshit, zhvilluar sot pasdite në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit. Ajo është cilësuar si ndeshja e fitores e të dy ekipeve, pasi ekipi i Bylisit është shpallur kampion i kësaj kategorie, duke u rikthyer në Superligë, ndërkohë që të njëjtin sukses ka arritur edhe Elbasani, i cili pas kësaj fitoreje rikthehet në superligë pas një vit mungese.
Ndeshja ka qenë e fortë dhe me plot 12 gola. Elbasani shënoi 8 gola nëpërmjet Dalipit, Ramazanit, Hushmerit, Dervishit dhe Merçait. Ndërsa Bylisi arriti të shënojë katër herë nëpërmjet sulmuesit Hamzai, i cili u shpall edhe golashënuesi më i mirë në kategorinë e parë, me plot 27 gola.
Në fund të ndeshjes, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i dha kupën e kampiones ekipit të Bylisit. /s.s./