English

Goditet Një Grup I Dyshuar I Trafikut Ndërkombetar Të Narkotikëve

TIRANË, 15 Maj/ATSH/ . - Një grup i dyshuar për trafik ndërkombëtar të narkotikëve është goditur sot në një operacion të ndërmarrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit. Detajet mbi këtë operacion u bënë të ditura nga zyrtarë të lartë të Prokurorisë dhe Policisë, në një konferencë të përbashkët shtypi që dhanë mesditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Prokurori Anton Martini tha se në kuadër të operacionit të koduar "Ura", u ekzekutuan masat e sigurimit të arrestit me burg për 7 persona, nga të cilët, një i ndodhur prej disa kohësh në paraburgimin e Tiranës. Kështu, u ekzekutuan masat e arrestit me burg për shtetasit: Shefqet Vata, Isuf Bunaj, Endrit Dokle, Jorid Dunga, Edmond Taullaj, Behar Biba dhe Englantina Lulo. Shtetasit e lartëpërmendur dyshohet se janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në rrugë tokësore nga Shqipëria drejt Italisë në periudhën kohore shtator 2008- prill 2009. Ndërkohë që në këtë periudhë është mundësuar në kohë dhe vende të ndryshme bllokimi në total i një sasie prej 40 kilogram lënde narkotike e llojit heroinë. Gjatë konferencës është theksuar fakti se kontribut në finalizimin me sukses të operacionit kanë edhe autoritet italiane, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtë me ato shqiptare. Hetimet për çështjen, të nisura që në 2008, tashmë janë përqëndruar në zbulimin e bashkëpuntorëve të tjerë në këtë trafik si dhe për pasuritë që zotërojnë 7 të dyshuarit, 2 prej tyre me aktivitet privat. /a.m//a.ke/
KOMENTE