English

Greva e urisë së PS hyn në ditën e 15-të, deri tani 35 grevistë socialistë në spital

Tiranë, 15 maj, NOA – Ka hyrë në ditën e saj të pesëmbëdhjetë greva e urisë së 22 deputetëve dhe 180 mbështetësve të Partisë Socialiste, të cilët janë ngujuar që prej mbrëmjes së 30 prillit poshtë godinës së Kryeministrisë.

Ndërkaq, sipas të dhënave që raportohen nga selia rozë, deri tani ka arritur në 35 numri i grevistëve të urisë, të cilët kanë qenë të detyruar të braktisin çadrën e ngujimit për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.

Dje gjatë protestës së radhës të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, la të kuptohet në fjalimin e tij se protesta e opozitës nuk do të ndalet derisa të realizohet kërkesa e njohur e opozitës, për transparencë të procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Ndërsa thuhet se ndërkombëtarët kanë gati një marrëveshje e cila parashikon të arrijë kompromisin mes dy partive të mëdha në vend, PD dhe PS, për të mundësuar kështu zgjidhjen e ngërçit politik në vend, i cili prej muajsh është i pranishëm në arenën politike të Shqipërisë.

n.e/NOA

KOMENTE