Iran - Clotilde Reiss Mund Të Largohet Nga Vendi Pas Vendimit Të Gjykatës Për Ta Dënuar Me Një Gjobë
TEHERAN, 15 maj /ATSH-AFP/ - E reja franceze Clotilde Reiss, e cila mbahet në Iran që prej 1 korrikut të vitit 2009 pasi mori pjesë në demonstratat post-zgjedhore, do të mund të largohet sot nga vendi pasi një gjykatë iraniane e dënoi atë vetëm me një gjobë, deklaroi për AFP avokati i francezes.
"Gjykata e dënoi Reiss me një gjobë prej 285 mijë dollarësh, e cila u pagua mëngjesin e sotëm", deklaroi avokati Mohammad Ali Mahdavi Sabet.
Ai shpjegoi se kishin vendosur të mos e apelonin vendimin, çka do t'i lejonte Reiss të largohej nesër.
Mahdavi Sabet deklaroi se ata do të paraqiteshin sot para Gjykatës Revolucionare në Teheran për të tërhequr pasaportën e Reiss, e cila nuk u kthye të shtunën për një problem administrativ
Reiss, një studiuese në Universitetin Ispahan, u akuzua zyrtarisht me cënim të sigurisë kombëtare të Iranit, kryesisht për shkak të mbledhjes së informacioneve dhe fotove gjatë protestave të 15 dhe 17 qershorit 2009 në Teheran.
Reiss, 24 vjeç, u arrestua më 1 korrik të vitit 2009 kur po nisej për t'u kthyer në Francë. Pas gjashtë javëve në paraburgim, ajo u lirua me kusht më 16 gusht, me masën arrest shtëpie, në pritje të përfundimit të gjyqit. Ajo qëndroi në ambasadën franceze në Teheran.
Vendimi për të duhej të ishte marrë në fund të janarit por seancat u shtynë disa herë nga autoritetet gjyqësore iraniane.
/e.v/