Koment - Ekonomi - A Janë Të Mbrojtura Shtetet E Bashkuara Nga Një Tragjedi Alla Greke
UASHINGTON, 15 maj /ATSH-AFP/ - Çështja duket e zgjidhur në Uashington: Shtetet e Bashkuara janë të mbrojtura nga një tragjedi e ngjashme me krizën greke. Megjithatë, zyrtarët e bankës qendrore po i shtojnë paralajmërimet shqetësuese dhe disa ekonomistë po vënë në dukje ngjashmëri tronditëse mes dy vendeve.
"Nuk ka asnjë rrezik. Kjo nuk do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara", u shpreh në mars sekretari amerikan për Thesarin, Timothy Geithner, lidhur me problemet ekonomike të Greqisë.
Megjithatë, deficiti buxhetor amerikan, që ka arritur në 10 për qind të PBB-së në vitin 2009, pritet të rritet në 10,6 për qind këtë vit. Qeveria është angazhuar ta zvogëlojë atë në 3 për qind brenda një afati të mesëm, por nuk ka paraqitur një plan të përshtatshëm për këtë ambicie.
Duke parë problemet e Greqisë, çështja e mbajtjes nën kontroll të financave publike është bërë një nga temat e parapëlqyera të drejtuesve të bankës qendrore amerikane (Fed).
Mesazhi që del nga fjalimet e tyre është i pandryshuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë të marrin më hua siç kanë bërë deri tani pa shkuar drejt katastrofës.
Nëse ato pranojnë se një pjesë e madhe e deficitit aktual është për faj të përpjekjeve për rimëkëmbjen buxhetore lidhur me krizën, ata do ta nxisin qeverinë dhe Kongresin të veprojë sa më shpejt për të hartuar një plan të besueshëm për zvogëlimin e deficiteve.
Parashikimi i këtyre drejtuesve është i njëjtë me atë të kolegëve të përtej Atlantikut. Mësimi që nxirret nga kriza greke është se shtetet kanë absolutisht nevojë të qetësojnë investitorët për qëndrueshmërinë e financave të tyre publike, theksoi të mërkurën guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King.
"Nga kjo pikëpamje, situata e çdo vendi të botës është e përafërt, edhe ajo e Shteteve të Bashkuara", shtoi King, sipas të cilit një nga "shqetësimet e tregjeve financiare lidhet me siguri me mënyrën se si do të zvogëlohet borxhi i madh publik në shkallë botërore brenda pak viteve të ardhshme.
Në një raport të publikuar të premten, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se kontrolli i financave publike është sfida kryesore që shfaqet përpara ekonomive të zhvilluara.
Sipas FMN-së, borxhi publik amerikan pritet të arrijë në 92,6 për qind në vitin 2010 dhe në reth 110 për qind në vitin 2015 (kur borxhi grek është aktualisht rreth 115 për qind).
Por, sipas Anthony Sanders, të Universitetit George Mason, Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një borxh prej 110 për qind, nëse përfshihen organizmat e rifinancimit hipotekar, për të cilat borxhi kolosal nuk përfshihet në llogari të shtetit federal që sidoqoftë i furnizon rregullisht me miliarda dollarë.
Për më tepër, shifrat zyrtare, si ato të FMN-së, nuk marrin parasysh financat e shteteve federale, një numë i madh i të cilave janë ndeshur me situata të rënduara ekonomike për shkak të krizës, si Kalifornia.
Sipas ish-bankierit dhe këshilltarit Daniel Indiviglio, i cili shkruan sot për revistën "The Atlantic", Shtetet e Bashkuara kanë probleme të ngjashme me ato të Greqisë: ata shpenzojnë si një shtet socialist, por kanë taksa si një shtet kapitalist".
Sipas tij, vendi është fajtor ashtu si Athina për fshehje të tërësisë së borxhit.
Megjithatë, ndryshe nga Greqia, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në gjendje të paguajnë, "pavarësisht një degradimi të paprecedent" të financave të tyre publike, theksoi në janar agjencia e vlerësimit financiar Fitch.
Kriza financiare dhe tensionet e fundit në tregje treguan se obligacionet shtetërore amerikane mbeten në vlerë të sigurt, veçanërisht me arin, për investitorët, gjë që i bën të mundur Uashingtonit të marrë hua me përqindje të ulëta.
Megjithatë, Fitch dhe konkurrentja e tij Moody's theksojnë se gjërat mund të ndryshojnë në një afat të gjatë, në mungesë të masave për zvogëlimin e deficitit brenda tre deri pesë viteve të ardhshëm.
/I.Pu.