Kukës: Ujësjellësi I Ri Përmirëson Furnizimin E Qytetarëve Dhe Cilësinë E Ujit
KUKËS, 15 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Konstatimi i ndotjes së ujit të pijshëm në dy lagje të qytetit ka shkaktuar jo pak shqetësime të banorët e Kukësit, dhe ia nxitur institucionet vendore të kërkojnë zgjidhje.
"Rrjeti i brendshëm mjaft i amortizuar dhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet janë shkaqet kryesore të fenomenit të ndotjes, ndonëse jo problematike, gjë që është verifikuar nga analizat kimike e bakteorologjike të ujit",- thotë përgjegjësi i sektorit të higjenës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Neritan Biba.
Sipas burimve nga bashkia, zgjidhja përfundimtare e problemit do të arrihet brenda këtij viti me ndërtimin e ujësjellësit të ri.
"Me një fond prej 3,6 milionë euro të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjekllës-kanalizimeve ka nisur puna për ndërtimin e ujësjellësit të ri që parashikohet të përfundojë në fund të këtij viti e që do të mundësojë furnizimin gjatë 24 orëve të konsumatorëve të qytetit e 14 fshatrave përreth tij",- thotë kryetari i bashkisë Hasan Halilaj.
Sipas Halilaj, ndërtimi i tij mundëson edhe ndërtimin e rrjetit të ri deri te konsumatori e që do të eliminojë rastet e ndotjes së ujit si pasojë e rrjetit aktual krejt të amortizuar, i ndërtuar në vitin 1967./ch/