Tiranë, 15 maj, NOA – Përmes një letre drejtuar përfaqësisë diplomatike të pranishme në Tiranë, mjekja Mimoza Boçari, nga familja e njohur e ish-pronarëve që mban mbiemrin e saj, ka shpjeguar se përse është futur në grevën e urisë së socialistëve.
Duke shpjeguar gjithë peripecitë e së drejtës së pronësisë së saj, ajo tha se ky është edhe shkaku kryesor për të cilën ka vendosur të ngujohet edhe ajo bashkë me 200 deputetët dhe mbështetësit socialistë.
“Familja Gjon Boçari është pronare e ligjshme e një prone të quajtur Jonfra e parë në qytetin e Vlorës e cila i është sekuestruar në vitin 1947. Në vitin 1996, komisioni i njohu familjes të drejtën e pronës, por vendimi i Gjykatës së Lartë nuk u zbatua. Ndaj kërkuam ndihmë nga Gjykata e Strasburgut, e cila në tetor 2007, e ndëshkoi qeverinë shqiptare me gjobë monetare. Qeveria e pagoi atë, por injoron deri në ditët e sotme të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 1996”, pohon ajo.
Në fund, sqaron sesi “vjedhja, mashtrimi dhe gënjeshtra prej 18 vjetësh po i dënon një pjesë të pronarëve të ligjshëm me vuajtje të rënda psiqike, fizike dhe dëm të pallogaritshëm financiar”.
Sipas saj, “nevojitet ndërhyrje dhe kushtëzim duke vënë në plan të parë parimet themelore të demokracisë, detyrimin e qeverisë për respektimin e të drejtës së pronës së trashëguar dhe kjo qeveri e ka provuar në të gjitha drejtimet se është e disinteresuar ose e paaftë të zbatojë angazhimet e saj”.
n.e/NOA