English

Ngërçi Politik-Berisha: Nuk Kam Në Tryezë Asnjë Marrëveshje Tjetër Veç Deklaratës Së Byrosë Së Kie-Së

- Kryeministri Berisha fton Kryetarin e PS-së, Edi Rama që të pranojë zgjidhjen e ngërçit politik mbi dokumentin e ofruar nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europë - TIRANË, 15 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se në tryezën e tij nuk ka asnjë draft, pakt apo dokument tjetër të propozuar nga ndonjë institucion europian, apo perëndimor për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri. Në një konference për shtyp, pas kthimit nga Kroacia ku mori pjesë në takimin e 19 vjetor të BERZH-it, Kryeministri Berisha ftoi kryetarin e PS-së, Edi Rama që të pranojë zgjidhjen e ngërcit politik mbi dokumentin e ofruar nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. "Ky është një dokument i shkëlqyer për t'i dhënë fund çdo ngërçi duke bërë transparencë në respekt të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave", tha Kryeministri Berisha, duke hedhur poshtë të gjitha zërat se ekziston ndonjë marrëveshje tjetër mes palëve. Deklarata e Byrosë së KiE-së, sipas Kryeministrit Berisha, "ka gjetur mundësi të plotë për transparencën më të madhe në respektin e plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave". Kryeministri vlerësoi se "kjo deklaratë përbën një dokument solid në interesin më të mirë të të gjitha forcave politike". Bashkimi Evropian, sipas tij, "e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se çështja duhet zgjidhur nga politika shqiptare, duke kujtuar se zbatimi i mekanizmave të shtetit ligjor do të zgjidhin çdo lloj situate". "Gjithçka tjetër është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin", tha Berisha, ndërsa nuk pranoi që të komentonte deklaratën e dhënë një ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. "Axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve", tha ai. Kreu i Qeverisë tha se "kryesocialisti Rama mund t'i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, e cila nga ana e saj, mund të kërkojë opinionin nga Komisioni i Venecias për çështjen e hapjes së kutive të votimit". "Mbetem i hapur për dialog dhe jam i gatshëm të zbatoj me përpikmëri të gjitha detyrimet tona, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën për t'i dhënë fund kësaj situate, sikundër respektoj kampingun e ngritur në dyert e kryeministrisë", u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë garantoi se "do të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo shtetasi për të protestuar", ndërsa theksoi se "përgjegjësia ligjore dhe morale bie mbi drejtuesit e PS-së". Duke i bërë thirrje Ramës që të lejojë hyrjen e ekipeve shëndetësore zyrtare për të ekzaminuar çdo grevist, Kryeministri Berisha tha se "mbyllja e dyerve të shërbimit shëndetësor përbën aktin më të rëndë, më ekstrem dhe më të paprecedentë në historinë e kampeve të përqedrimit, burgjeve apo grevave". "Për të treguar se nuk ka asgjë personale për të fshehur, Edi Rama duhet të lejojë bluzat e bardha të kontrollojnë grevistët. Edi Rama kërkon transparencën e kutive, por nuk bën transparencën e çadrave", tha ai. Ndërsa lidhur me protestat e opozitës, Kryeministri Berisha theksoi se "nuk do të lejohet bllokimi i trafikut në akset nacionale"./n.m/
KOMENTE