Paloka: Opozita Të Vazhdojë Shfaqjen Duke I Zhvendosur Çadrat Në Trotuar
TIRANË, 15 Maj/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka i kërkoi sot pjesëmarrësve në grevën e urisë së opozitës, që t'a vazhdojnë shfaqjen duke i zhvendosur çadrat në trotuar për të mos penguar qytetarët në aktivitetin e tyre.
"Si politikan, por dhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdojë të shikojë shfaqjen e përgatitur me kujdes, do doja t'i ofroja një kompromis çunave të Bllokut, të cilët që prej 16 ditësh kërkojnë zyrat e babit : zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen; as qytetarët nuk i pengoni dhe ju rrini sa të doni", tha deputeti Paloka në një deklaratë për shtyp.
Duke iu referuar protestës të organizuar një ditë më parë nga opozita, Paloka tha se "dje shqiptarët panë shfaqjen më të fundit të trupës teatrale ambulante, që me sa duket, ka vendosur të luajë filma me heroizma partizane në disa udhëkryqe të Tiranës e kryesisht në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
"Do t'a kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj nëse nuk do kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme", u shpreh deputeti i PD-së./a.s//n.m/