Papandreu: Ankaraja Dhe Athina Së Bashku Për Anëtarësimin E Turqisë Në Bashkimin Evropian
ANKARA, 14 maj /ATSH-MIA/ - Ankaraja dhe Athina do të punojnë së bashku për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri grek, Jorgos Papandreu në një intervistë për gazetën turke "Zaman", me rastin e vizitës dyditore të kryeministrit turk Recep Taip Erdogan në Greqi, që filloi dje.
"Së bashku do të punojmë për atë që Turqia të bëhet pjesë e Evropës", theksoi Papandreu duke përkrahur përpjekjet e Erdoganit në këtë drejtim.
"Kryeministri Erdogan është lider, i cili po lë gjurmë në shtetin dhe shoqërinë turke", tha Papandreu.
Ai shtoi se është i vendosur të luftojë për anëtarësimin e Turqisë në BE.
"Unë jam aleat i Turqisë në këtë rrugë. Greqia është përkrahësja më e sinqertë dhe më e rëndësishme e Turqisë në raport me perspektivat e saj për anëtarësimin në BE", theksoi kryeministri grek./ a.jor.