English

Potret-Biznes/ Nga Nje Sporteliste, Sot Pronare E Një Hoteli Familjar

GJIROKASTËR, 14 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Nga një sporteliste e thjeshtë hoteli, Luljeta Tuçi sot 48 vjeçe, administron prej dy vjetësh hotelin familjar "Gjirokastër" në një nga pikat më piktureske në zonën muzeale të qytetit, pranë banesës karakteristike të Babametos. Tuçi tregon se hoteli me katër dhoma karakteristike ka kushtuar 70 mijë euro, prej të cilave, 20 mijë euro me kredi bankare, ndërsa pjesa tjetër nga kursimet e djalit të saj në emigracion. Ajo thotë se çmimi për një dhomë varion nga 30-50 euro nata, përfshi mengjesin. Për të arritur deri te ky investim, Luljetës i janë dashur afro 18 vjet punë, deri sa para dy vitesh, hoteli mori formën e plotë, me kushtet komode sipas standardeve turistike. "Gjithë jetën kam menduar të investoja për një pasuri të vyer, që të mund t'i shërbejë edhe djalin tim në të ardhmen", thotë Tuçi. Ajo rrëfen se qysh në moshën 20 vjeçare ka punuar si sporteliste në hotel "Sopoti", që ndodhet në hyrje të zonës muzeale. "Në kohën e komunizmit ky hoteli kishte pamje dominuese dhe ishte shumë i preferuar nga të huajt, ndërsa sot godina është ka humbur shkëlqimin e saj", pohon Tuçi. Sipas saj, pronarët e lanë pas dore dhe për këtë arsye, vendosi të ndërtojë një hotel karakteristik familjar, ku tradita gjirokastrite të dominonte. Tuçi mendon se pas vitin 2005, kur UNESCO e çertifikoi Gjirokastrën si pasuri të trashëgimisë kulturore botërore, banorëve u është kthyer krenaria. "U rikthye krenaria e dikurshme", thotë Tuçi, e cila nënvizon se numri i turistëve vendas dhe huaj është shumëfishuar. Për të, investimi nuk ka marrë fund. Në krah të hotelit, familja Tuçi ka blerë një tjetër banesë karakteristike, e braktisur prej vitesh nga të zotët. "Një zot e di se çfarë përpjekjesh kam bëra për t'a blerë këtë banesë dhe brenda këtij viti, do të kem në dispozicion edhe katër dhoma të tjera", thotë Luljeta Tuçi. Ajo e shikon turizimin kulturor si një mundësi për të zhvilluar zonën muzeale. "Qyteti i Gjirokastrës ka çfarë të ofrojë. Falë politikave afatmesme që ka ndjekur pushteti qëndror dhe lokal, shumë biznese kanë filluar të vendosen në zonën muzeale, e cila ishte e braktisur disa vite më parë", thotë Tuçi. Sipas saj, pushteti qëndror dhe vendor janë bërë shumë bashkëpunues. "Dhjetë vjetë më parë tentova të investoja, por konstatova se pushteti vendor i binte gozhdës dhe pushteti qëndror patkoit. Ndërsa, sot gjërat kanë ndryshuar. Një leje ndërtimi është marrë në kohë rekord, mjafton që projekti të mos dilte nga arkitektura e qytetit", shprehet Tuçi. Ermira Çuberi, drejtore e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muzet të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), thotë se këto investime janë shumë të dobishme, sidomos për banorët e zonës. "Tre vjet më parë ekzistonte vetëm një hotel familjar, ndërsa sot kemi disa të tilla", shprehet Çuberi. Sipas saj, falë rijetëzimit të Qafës së Pazarit, konkurrenca është rritur, ndërsa janë ulur çmimet. /ch/
KOMENTE