Prifti: Plan Veprimi Per Disiplinimin E Veprimtarise Ne Sektorin Minerar
TIRANE, 15 Maj /ATSH/ . - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, prezantoi dje në Bulqizë Planin e Veprimit dhe ngritjen e Task Forcës për disiplinimin e aktivitetit minerar në këtë zonë.Qëllimi kryesor i këtij plani, u shpreh ministri Prifti, është sigurimi i jetës së minatorëve.
Duke folur për objektivat e këtij plani, ministri Ekonomisë deklaroi se, ne synojmë të arrijmë nëpërmjet zbatimit të Planit të Veprimit disiplinimin e aktivitetit minerar në zonën e Bulqizës, kryerjen e tij në përputhje me ligjin. Rezervat e kromit, sipas tij, përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria dhe ato duhet të përdoren në të mirën e vendit dhe komunitetit.
Ministri Prifti sqaroi se, të gjitha institucionet që ngarkohen për zbatiminin e Planit të Veprimit, përfshirë ato të ministrisë së Ekonomisë, do të përqendrohen në mënyrë permanente në zonën e Bulqizës, në mënyrë që situata të stabilizohet dhe aktiviteti minerar të zhvillohet normalisht.
"Do të ketë përfaqësues të përhershëm nga inspektoriatet përkatëse, me qëllim që kjo pasuri kombëtare t'i shërbejë komunitetit në mënyrë të ligjshme dhe duke garantuar jetën e komunitetit", tha gjatë fjalës së tij ministri Prifti. Sipas tij, arsyeja kryesore që cenohet siguria e jetës së minatorëve është aktiviteti i jashtëligjshëm. "Ndaj, deklaroi ai, aktiviteti i jashtëligjshëm në zonën minerare të Bulqizës duhet të marrë fund në mënyrë urgjente".
Z. Prifti theksoi se ministria do të vërë në dispozicion të Task Forcës të gjitha database-in e licencave, në mënyrë që askush të mos shfrytëzojë pasurinë e kromit në mënyrë të jashtëligjshme, apo jashtë projektit.
Prifti tha se plan-veprimi do konsultohet dhe me kryeministrin Berisha, ndërsa shtoi se inspektorët kanë një detyrë të vështirë, atë të kontrollit të një zone mjaft të vështirë. /e.xh//a.ke/