English

Rama: Hapjen e kutive ia delegoj Komisionit të Venecias

Tiranë, 16 Maj 2010 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët deklaroi për herë të parë se ishte gati të hiqte dorë nga ajo që e konsideronte deri dje kërkesë e panegociueshme për hapjen e kutive që përmbajnë fletët e votimit, duke sugjeruar se për hapjen ose jo të tyre, le të shprehet Komisioni i Venecias e duke premtuar ta pranojë vendimin e të huajve.

Si do të jetë rrjedha e protestave dhe grevës së urisë?

Ju them se e kanë të kot, ne nuk zmbrapsemi, ne nuk lodhemi. Ne nuk ndalemi sepse nuk po kërkojmë të mundim një palë në interes të palës që sot përfaqësojmë, por kërkojmë një Shqipëri ku palët të bashkëjetojnë mbi rregulla të respektuara bashkërisht. Mbi parime dhe vlera që janë domosdoshmëri për një Shqipëri europiane, mbi norma të cilat nuk mund të jenë të vlefshme ose të pavlefshme, në varësi të orekseve të pushtetit.

Si e komentoni deklaratën e Berishës lidhur me protestat dhe ngujimin?

E dëgjova sot të parin e qeverisë e ndjeva keqardhje për të. Keqardhje për shurdhërinë, keqardhje për verbërinë. Keqardhje për qasjen e tij ndaj një problemi që është një problem kombëtar, që është transparenca. Transparencë jo në funksion të një lufte për pushtet, por në funksion të një lufte për demokratizim dhe emancipim. Funksion të një përpjekjeje për çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e atij korrupsioni që nuk e lë popullin të qeveriset nga ata që zgjedh, por e detyron të sundohet nga ata që nuk e lënë të zgjedh.

E filloj kryeministri nga ekonomia, sigurisht me qëllimin e mbrapshtë për ta relativizuar atë që ndodh mu nën dritaret e tij. Tek ekonomia po qëndroj edhe unë për një çast. Duke ju thënë gjithë shqiptarëve se, a ka më familje që nuk e ndjen krizën ekonomike? A ka më familje që nuk e përjeton të tatëpjetën e një ekonomie që po rrëshqet dita ditës, e që tashmë po gërryen tabanin e ekonomisë familjare shqiptare. A ka më qytetarë e qytetare shqiptare që e pranon atë që kryeministri dhe gjithë propaganda qeveritare, përpiqet të imponojë me zhurmën, shifrat e të dhënave të rreme, se Shqipëria është në gjendje të mirë ekonomike.

Sa vende pune ka hapur Sali Berisha qysh prej ditës kur grabiti zgjedhjet, e mbylli kutitë? Ku në fakt nuk janë mbyllur votat që përcaktojnë rezultatin, por janë mbyllur rrugët e një zhvillimi normal demokratik e ekonomik. Premtoi 160 mijë vende pune të reja. Nuk është mbushur ende një vit dhe kanë humbur 100 mijë vende pune. Kjo është A-ja dhe ZH-ja e kontratës së një qeverie dhe një kryeministri me popullin e vet. Kur flitet për ekonomi, për mbarëvajtjen e ekonomisë, për gjendjen e përgjithshme të ekonomisë.

Sa i ka rritur investimet Sali Berisha? Kjo është një tjetër pyetje kryesore, e cila nuk do shumë diskutime dhe as shumë të dhëna e akrobaci. Në fakt ato që janë rritur nuk janë as vendet e punës, sepse janë 100 mijë vende pune që kanë humbur në më pak se një vit, as investimet që janë frenuar tërësisht. Ato që janë rritur janë borxhet. Borxhet e qeverisë ndaj të tretëve, e sigurisht borxhet e secilit prej nesh për shkak të qeverisë. Borxhet e qeverisë ndaj kompanive në vend, janë sot më shumë se 150 miliardë lekë, dhe vetëm OSSH-së që shqiptarëve ju dërgon fatura boll të kripura, ku qeveria i detyrohet një shumë marramendëse lekësh, që nuk arrin dot ta paguaj. Le ta themi në euro, 40 milionë euro. Dhe pikërisht sepse nuk ja paguan dot, pranon sy mbyllur që të mbingarkohen shqiptarët e thjeshtë. Ata të cilët përballen me një faturë të kripur, jo vetëm me një faturë për shkak të ligjit, por edhe të fryrë. Për shkak se boshllëku i madh i borxhit, që qeveria e para që duhet të kontribuojë për ta zvogëluar, është i tillë që kërkon shtrydhjen e buxheteve të shqiptarëve të thjesht.

Të atyre shqiptarëve që janë mësuar të paguajnë, që janë mësuar të zbatojnë ligjin. Që janë mësuar të mos i shmangen detyrimeve dhe që janë kthyer sot, tamam si në atë rrëfenjën e atij ekspertit ndërkombëtar që ndihmonte një qeveri afrikane. E që shkruante se të pa aftë për të luftuar evazionin fiskal e për të dal në xhunglën e informalitetit, të gjithë tagra mbledhësit e qeverisë, marrin çiften për të gjuajtur në kopshtin zoologjik. Pra në fakt aty ku ndodhen qytetarët që e kanë pranuar ligjin dhe bashkëjetesën me ligjin.

Sa janë rritur të ardhurat, në raport me të shkuarën, e muaj pas muaji? Nuk mund të rriten të ardhurat duke gjobitur përditë këdo që në Shqipëri merret me biznes. Duke e gjobitur arbitrarisht me arrogancën e një pushteti që përfiton nga një ligj, ku thuhet se gjoba paguhet, pastaj mund të ankimohet në gjykatë. E kështu u shkohet të gjithë sipërmarrësve, të mëdhenj e të vegjël, derë më derë. E ju thuhet, paguaj njëherë se këto lek më duhen mua, pastaj shko në gjyq e gjeje të drejtën tënde.

Ashtu sikurse të ardhurat nuk mund të rriten as me manipulimin e shifrave, duke rritur në letër shifra, që në realitetin e ekonomisë shqiptare nuk përputhen.

Po konsumi sa është rritur, sa blejnë sot shqiptarët? Sa është fuqia e tyre blerëse? Sa është rritur fuqia e tyre blerëse në raport me të shkuarën? Në fakt e vërteta është se shqiptarët sot blejnë më pak, e harxhojnë më shumë për të blerë atë që me më pak lek e blinin më përpara. Kjo është rënie e fuqisë blerëse, rënie e konsumit, rënie e përgjithshme e ekonomisë. Janë rritur depozitat, është e vërtetë, por nuk është rritur kreditimi, sepse është rritur pasiguria dhe njerëzit çojnë më shumë lekë në bankë. Por nuk ka asnjë shenjë optimizmi të ekonomisë që të rrisë kreditimin dhe investimet.

Po me borxhin çfarë do bëhet? Si do shlyhet borxhi? 60% e pasurive kombëtare shqiptare është sot e barabartë me borxhin. 10% i rritur vetëm vjet, në vitin kur Sali Berisha i bëri rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve, për të mbajtur atë pushtet që sot e mban me vota të grabitura. Dhe ja ku vijmë tek arsyeja pse ndodhi dhe ajo që nuk duhet të kishte ndodhur. Shitja e detyruar e Hotel Dajtit për Bankën e Shqipërisë, e blerja e detyruar për Bankën e Shqipërisë të Hotel Dajtit, ka shteruar likuiditeti dhe jemi në momentin kur qeverisë i duhet të shlyejë disa detyrime. Ndërkohë që eurobondi me vlerë 400 milionë euro, po vonon të lëvrohet, gjë kjo e lidhur me konjukturën ndërkombëtare, por sigurisht e lidhur dhe me klasifikimin tërësisht të pa favorshëm të financave tona, në kushtet e një ekonomie globale, që sot i ruhet si djalli temjanit, fondeve krejt të pa sigurta, ku janë klasifikuar edhe fondet e financave tona.

Kështu që jemi sot në kushtet kur gjithë ato abuzime të bëra për shkak të investimeve elektorale, mbështetur në një borxh të marrë me dyfishin e normave të interesit. 13-14 % është një hua marrje kriminale, për një qeveri si qeveria e këtij vendi, në kushtet e këtij vendi. E kanë sjellë sot ekonominë në pikën ku është e pamundur shlyerja normale në kohë, e këtyre detyrimeve dhe shmangia e qorrsokakut të financave publike. Dhe vijmë tek 30 milionë euro, pa tender, brenda për brenda shtetit, në kundërshtim me autonominë e Bankës së Shqipërisë dhe si kërcënim i balancave financiare në parim të vendit. Është njësoj si qeveria ti blej një institucioni, apo ti shes një institucioni një aset. Dhe është edhe më keq akoma për shkak se cënohet në fakt, në këtë rast, autonomia e Bankës së Shqipërisë, e cënohet në fakt një raport që duhet të jetë i pa prekshëm mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, në funksion të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.

Por qeverisë i duhen para, i duhen para urgjent. Ka një borxh sindikal për të shlyer në fund të këtij muaji, 10 milionë euro. I mungojnë lekë, e kjo mungesë mund të mbulohet nëpër konferenca, nëpër deklarata për ti hedhur hi syve shqiptarëve. Por nuk mund të mbulohet aty, në realitetin e kontratave që duhen respektuar. Kështu që vetvetiu vijmë përsëri aty ku jemi nisur, e ku vazhdojmë të qëndrojmë. Tek domosdoshmëria për transparencë.

Transparencë në qeverisjen e këtij vendi. Dhe kjo transparencë fillon nga transparenca e zgjedhjeve në këtë vend. Transparenca e veprimtarisë parlamentare në këtë vend. Transparenca e veprimtarisë qeverisëse në këtë vend. Transparenca e ekonomisë së këtij vendi. Eksperiencat jo shumë larg nesh, në vende shumë më të përparuar se ne, mësojnë se manipulimi me shifrat, për hir të interesave të pushtetit, akumulon drama të cilat shpërthejnë në formë tragjike për një popull. Po në rast se Greqisë kjo i ndodhi për 40 vjet, Shqipërisë në katër vjet e pak, jo për shkak të një zhvillimi që Greqia pati si rezultat i një politike që në një farë shkalle ishte aventuroze, por për shkak të interesave banale të një pushteti, të një oborri, që për të mos lëshuar pushtetin, po shkatërron tërë shtetin.

Ftesa ime për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë është të mos e bëjë Bankën e Shqipërisë pjesë të krizës e të nevojave të qeverisë. Do të ishte fatale, për Bankën e Shqipërisë, do të ishte fatale për ekonominë e financat e vendit, do të ishte fatale, jo për të ardhmen e largët, po për të nesërmen e afërt. Qeveria mund të bjerë, banka në asnjë mënyrë nuk mund të lëkundet dhe as sistemi ynë bankar që është themeli i stabilitetit financiar të këtij vendi.

Le të vijmë të greva, pati akuza sot nga kryeministri i cili aludoi dhe për transparencë të ngujimit...

Në rast se qeveria kërkon të bëjë inspektime, le ti bëjë kur të dojë, askush nuk e pengon. Por në këtë këmbëngulje të Sali Berishës, unë shoh diçka tjetër. Diçka të neveritshme. Diçka që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur, që në atë çadër diçka e keqe të ndodh, e pastaj gishti të ngrihet kundër opozitës, kundër organizatorëve të grevës.

Përsëritja pa pushim e konventave dhe e ligjeve nga ana e njeriut që pikërisht pse ka shkelur çdo konventë dhe çdo ligj përballet sot me një opozitë që është në grevë urie, është shëmbëlltyra e hipokrizisë dhe njëkohësisht e marrëzisë së kësaj qeverie.

Kam respekt për protestën thotë zotëria, po protesta nuk lidhet me respektin e tij, nuk zhvillohet për shkak të respektit të tij dhe as nuk ndalet në rast se ai nuk do të ketë respekt për të. Respektin për protestën në fakt nga ana e tij dhe e këtij pushteti e tregojnë më së miri gazetat dhe ekranet e qeverisë. E tregojnë më së miri peticionet e hartuara në zyrat e qeverisë me firmat e marra duke u drejtuar tek ata që janë në bukën e qeverisë. E tregojnë edhe dëshmitë e disa syresh prej tyre që e mohojnë të kenë hedhur edhe firmën dhe që ndjehen po aq të vjedhur saç ndjehen qytetarët e këtij vendi për shkak të zgjedhjeve të grabitura. Ato çadra nuk janë aty se Saliu i respekton, ato çadra janë aty se Saliu nuk respekton arsyen themelore që është në themelin e kësaj proteste, që i lindin edhe ato çadra. Ato çadra do të jenë aty pavarësisht nga respekti ose jo, i atyre që sot qeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura dhe që nuk kanë kurajon të bëjnë transparencën e votave që i mbajnë në qeveria. Kushtetuta, sigurisht që kushtetuta është pika jonë e referimit, por nga ana tjetër tingëllon disi cinike, dhe duket si një tallje me të gjithë shqiptarët, që kushtetutën ta tregojë si pengesën për të zgjidhur krizën, njeriu që e ka shkelur 30 herë në më pak se 4 vjet. 30 herë ka shkelur kushtetutën në bazë të gjykimeve të gjykatës kushtetuese, pa llogaritur rastet kur i ka shkelur dhe nuk janë gjykuar në gjykatë. Si mundet ky njeri arbitrarisht ti verë pengesë transparencës kushtetuese, duke pretenduar se po mbron kushtetutën dhe kush është ky zotëri që e mbron kushtetutën me forcën e pushtetit dhe të shumicës në parlament, ndërkohë që kushtetuta dhe kushtetutshmëria mbrohen dhe gjykohen nga instanca të tjera, që nuk janë as instanca e kryeministrit, as instanca e shumicës parlamentare, që e ka zgjedhur këtë kryeministër pas një vendimi të diskutueshëm gjykate, jo në funksion të vullnetit të popullit.

Keni ju një kompromis?

Kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetutshmëria. Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe në asnjë mënyrë për të marrë pushtetin në tavolinë, por për të garantuar që pushteti të mos merret më nën tavolinë. Ne e kemi pranuar dhe jemi të gatshëm në çdo moment që ta zgjidhim përmes vullnetit dhe padyshim edhe përkushtimit tonë në funksion të transparencës këtë krizë. Komuniteti ndërkombëtar kërkon zgjidhje dhe ndërkohë kur thotë se zgjidhja u takon shqiptarëve nuk nënkupton që i pari i qeverisë të refuzojë çdo zgjidhje pikërisht sepse disponon një forcë kartonash të cilën e përdor abuzivisht. Kjo është tërësia e tablosë së sotme dhe unë dua ta nënvizoj përpara sesa ju të pyesni, që ne jemi gati për zgjidhje. Transparencë përmes një hetimi, i cili mund të fillojë menjëherë duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionit zgjedhor, në ndërkohën që kontesti për fletët e votimit mund ti lihet fare thjeshtë opinionit të një pale, që nuk është palë në këtë konflikt dhe që gëzon respektin e të gjitha palëve, Komisionit të Venecias.

Interpretimi sipas të cilit hapja e kutive të dokumentacionit zgjedhor duhet të kushtëzohet me djegien e fletëve të votimit është një interpretim i gabuar. Kjo është një krizë e rëndë që kërkon kompromis në funksion të interesit publik dhe të transparencës së domosdoshme për të gjithë. Ajo çka ne mund dhe duhet ta arrijmë përmes kësaj transparence ka një rëndësi kombëtare, ka një rëndësi strategjike për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë. Çka do të thotë se palët e kanë këtë një detyrim karshi shqiptarëve dhe nga ana tjetër mjafton vullneti i palëve që kjo çështje të zgjidhet menjëherë, ndërkohë që këto arsyetime dhe interpretime shumë të sipërfaqshme të mos bëhen pengesë për zgjidhjen.

Gabon kush mendon se kufiri fizik i atyre që sot heroikisht po dëshmojnë vullnetin tonë për të hapur një epokë të re për zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri është edhe kufiri i grevës dhe i protestës sonë. Nuk është kështu. Greva nuk mbaron, protesta nuk mbaron, populli opozitar nuk ndalet, deri në realizimin e transparencës. Apeli im për Sali Berishën është: Këtu askush nuk po kërkon asgjë tjetër përveç asaj që zotrote je i pari që ke detyrimin të garantosh për Shqipërinë dhe për shqiptarët, transparencë. Transparencë në funksion të interesit kombëtar dhe publik për një Shqipëri e cila të bëjë një hap themelor përpara duke mbyllur epokën e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuar, duke hapur një epokë të re, e cila do ta bëjë jo vetëm procesin zgjedhor më të mirë, por do ta bëjë qeverisjen më të mirë. Dhe ta bëjë sjelljen politike më të mirë sepse do ti japë fuqi popullit dhe do ti jap karakter imperativ gjykimit të tij me votë, duke mos lejuar që pushteti ta marrë votën edhe kur populli nuk ja jep, një gjë që e bën pushtetin mospërfillës ndaj atyre që njerëzit vuajnë për shkak të tij.

Ju i bëni apel kryeministrit që të pranojë kompromisin për të cilin thatë se e keni pranuar?

Është një kompromis i arsyeshëm, i cili nuk cënon parimin e transparencës, i cili nuk cënon interesin publik për transparencë, i cili hap kutitë e dokumentacionit zgjedhor dhe krijon të gjithë kushtet që për kutitë ku gjenden fletët e votimit të ketë një gjykim të pavarur, që t’ju vijë në ndihmë palëve, për të përmbyllur një proces që duhet të përmbyllë në fakt një epokë. Epokën e zgjedhjeve të padenja për Shqipërinë anëtare në NATO, për Shqipërinë që do të integrohet në BE, po mbi të gjitha për Shqipërinë e shqiptarëve dhe shqiptareve që nuk kanë asnjë arsye të varen nga qeveria, por që duhet ta kenë qeverinë në funksion të vetë, përmes votës së tyre të lirë. Të gjithë duhet ta kuptojnë, se beteja jonë nuk është beteja e radhës mes një pale dhe palës tjetër në një histori sherri politik, por është një betejë që sot shkon përpara me forcën e vetëdijes se këtu ne po japim një kontribut shumë më të madh, sesa ajo që ne do të fitojmë si palë nga dhënia e këtij kontributi, një kontribut për të gjithë vendin, një kontribut për të gjithë njerëzit. Një kontribut për një Shqipëri që nuk ka asnjë arsye të jetë e fundit në procesin e integrimit, e fundit në procesin e demokratizimit, e fundit në procesin e zhvillimit në një Ballkan ku të tjerët i kanë të gjitha arsyet për të qenë mbrapa, e ku në fakt janë përpara nesh pikërisht sepse kanë arritur të kapërcejnë këtë moment dramatik zgjedhjesh të kapura nga kthetrat e pushtetit.

Në ç'rrugë duhet kuptuar gjykimi i komisionit të Venecias, pasi Km Berisha, ai e shmangu mundësinë që të kërkohet nga Km, kryetari kuvendit apo Presidenti Republikës?

Është për të ardhur keq dhe është më shumë sesa për të ardhur keq, është e vajtueshme që Shqipëria sot ka mbetur në dorën e këtij pushteti që nuk sheh se çfarë Shqipëria ka nevojë sot dhe nuk kupton që kjo nuk është një luftë gjelash, po kjo është një përpjekje e cila duhet të çlirojë energji pozitive për vendin, e cila duke u bllokuar, bllokon gjithë vendin. Nuk është protesta jonë që pengon integrimin, është gjithë problematika e rëndë që ka penguar integrimin, e cila ka nxitur protestën tonë. Ne jemi në këtë protestë pikërisht sepse nuk janë garantuar kushtet që Shqipëria të ketë zgjedhje, që Shqipëria të ketë një shtet të së drejtës, që Shqipëria të ketë një ekonomi të lirë, që Shqipëria te jetë një vend i konkurrencës së lirë në çdo fushë. Konkurrencës lirë mes forcave politike, konkurrencës lirë në hapësirën e tregut, konkurrencës së lirë për të hyrë në shkollë, për të hyrë në punë, për të ngjitur shkallët e jetës. Dhe e gjitha kjo është e pamundur sot , sepse mundësitë janë të gjitha të mbyllura në kutinë ku mbahet peng zgjidhja. Ne nuk lëvizim, ne nuk tërhiqemi, ne nuk ndalemi. Është e kotë, nuk ka asnjë mundësi që ne të heqim dorë nga kjo kërkesë elementare, që ka të bëjë me një problem themelor. Vullneti ynë është i plotë dhe jemi të gatshëm ta zgjidhim sot këtë krizë, duke pranuar kompromisin e bazuar plotësisht mbi të drejtën kushtetuese për të filluar menjëherë hetimin, duke u nisur nga dokumentacioni zgjedhor që mbyllet në kutitë e të gjithë qindrave të votimit dhe duke pritur që për kutitë ku gjenden fletët e votimit të jetë një opinion të pavarur nga një instancë e respektuar prej të gjithëve, siç është komisioni i Venecias. Ku është këtu problemi? Dhe si ka mundësi që ndërkohë që ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë, pala në pushtet nxjerr pengesa, për një zgjidhje e cila nuk çliron thjesht këtë nyje, por çliron shumëçka tjetër rreth kësaj nyje. Kjo është tregues i shumëçkaje por unë nuk dua të bëjë asnjë koment. Ne e kemi lenë këtë kohë për një reflektim dhe për një zgjidhje dhe duam zgjidhje në të mirë të të gjithëve.

Jeni shprehur se zgjidhja është afër, keni reagime, sinjale pozitive që kjo zgjidhje po vjen dhe në rast se do ketë sot një qëndrim të Km Berisha pro kësaj që thoni ju, sot merr fund edhe greva e urisë?

Pa asnjë dyshim se në rast se pala tjetër e pranon këtë zgjidhje, çështja është e zgjidhur dhe fillon procesi i transparencës.

Ky është propozimi për të cilën foli edhe z. Bosh që mbështetet nga OSBE-SHBA dhe BE?

Ky është besoj unë një kompromis i artë nga ku fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët, fiton demokracia dhe nga ky nis rruga e një transparence që garanton procesin zgjedhor dhe që i vendos palët në një pozicion shumë më detyrues ndaj publikut.

Presidenti Republikës mbrëmë në një emision e ka mohuar të ketë një draft?

Unë ju dhashë formulën e zgjidhjes. Fakti që kjo është apo nuk është e shkruar, nuk e cënon aspak thelbin për të cilin ne diskutojmë. Kjo është një zgjidhje që ne e pranojmë. Kjo është një zgjidhje që me ta pranuar edhe pala tjetër i jep fund kësaj krize.

A do t’i drejtoheni ju komisionit të Venecias, komisionit hetimor apo do të ketë një nga komisioni hetimor një kërkesë në gjykatën kushtetuese dhe më pas në komisionin e Venecias. A është menduar dhe kjo rruga?

Kjo është një zgjidhje që kërkon vullnetin e të dyja palëve. Ne e kemi vullnetin, pala tjetër pse nuk e ka?

Ju thatë që nëse maxhoranca pranon këtë kompromis, këtu merr fund greva, merr fund protesta dhe nis hetimi i zgjedhjeve 28 qershorit, por nëse nuk pranon do të vazhdohet me grevë dhe protesta?

Pa as me më të voglin dyshim, protesta nuk ndalet, pa u zgjidhur problemi i transparencës. Dhe askush nuk duhet të mendojë se ne mund të lodhemi, se ne mund të humbasim durimin, se rezistenca jonë ka një kufi. Rezistenca jonë nuk ka kufij. Është një rezistencë për një të drejtë elementare dhe ky është atdheu ynë. Ky është atdheu ynë. Në atdheun tonë ne nuk pranojmë të dorëzojmë asnjë liri dhe të drejtë që na bën të barabartë me të gjithë të tjerët dhe që i bën të gjithë të barabartë me njëri tjetrin përballë kushtetutës dhe ligjit. Kush ushqen iluzionin se kjo është një krizë që mund të shuhet, sepse do të shuhet pasioni ynë për të mbrojtur këtë të drejtë elementare thjesht gabon. Ashtu sikundër gabojnë dhe gabojnë rëndë të gjithë ata të cilët në vend se të shohin problemin që ne kemi shtruar për zgjidhje, merren me ne. Çështja që në shtrojmë është një çështje që duhet zgjidhur pasi është kthyer në një gangrenë në organizmin e shoqërisë shqiptare prej vitesh. Është një çështje e cila ka qenë shkak i shumë e shumë peripecive të të gjitha forcave politike në vite dhe që duhet të marri fund me një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme për të gjithë. Ne nuk jemi këtu në një luftë për pushtet, ne jemi këtu në një betejë për transparencë. Dhe për këtë ne do të rezistojmë, do të rezistojmë, do të rezistojmë pa kufij. Është e domosdoshme që transparenca të bëhet në mënyrë që energji të reja të çlirohen për të gjithë dhe kudo në vend.

Grevistët kanë artikuluar gjashtë kushte ndërkohë, krahas transparencës janë disa të tjera?

Platforma e paraqitur nga grevistët është një platformë principesh, e cila shtron për diskutim dhe zgjidhje një sërë problemesh që nuk kanë të bëjnë me sovranitetin e qeverisë për të qeverisur dhe as me ndonjë privilegj që opozita kërkon, por kanë të bëjnë me parimet e bashkëjetesës demokratike. Duhet ti vëmë të qartë rregullat e kësaj bashkëjetese, në mënyrë që jo vetëm partitë politike, por të gjithë grupet e interesit, të gjithë komunitetet dhe të gjithë individët, kudo që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre të jenë të garantuar. Duhet të marri fund Shqipëria e njerëzve të kërcënuar me bukën e qeverisë. Duhet të marri fund Shqipëria e mësuesve, e mjekëve, e nëpunësve, e policëve që vendosen në dilemën nëse duhet të respektojnë ligjin apo urdhrin e jashtëligjshëm. Duhet të marri fund Shqipëria ku çdo vatër lirie që nuk është nën kontrollin e pushtetit shikohet si një vatër që duhet shuar, ku çdo sipërmarrje që nuk e ka bekimin e pushtetit shikohet si një veprimtari armiqësore. Dhe këtu fillon një kthesë që ne e ftojmë palën tjetër që ta bëjmë të gjithë së bashku. Një transparencë ku ne e ftojmë palën tjetër që ta bëjmë së bashku. Një zhvillim për të cilin ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me palën tjetër, por këtu njëkohësisht ndahet qartë, e shkuara me të ardhmen. Ne jemi në krahun e të ardhmes. Në rast se pala tjetër kërkon të qëndrojë kokëfortësish në krahun e të shkuarës është e destinuar të dështojë, herët ose vonë. Për ne koha nuk ka asnjë rëndësi në raport me rezistencën tonë, por koha ka shumë rëndësi në raport me interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që meritojnë jo vetëm zgjidhjen e menjëhershme të kësaj krize, por meritojnë shumë më tepër, në raport me politikën dhe qeverisjen e këtij vendi.

FUND

KOMENTE