English

Rama: Protesta E Opozitës Nuk Ndalet Pa Transparencën E Zgjedhjeve

TIRANË, 15 Maj/ATSH/.- Kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi sot pasdite, në një takim me gazetarët, se protesta e opozitës nuk ndalet pa realizuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Duke falenderuar qytetarët për pjesëmarrjen në protestën e ditës së djeshme, Rama deklaroi se "zgjidhja për krizën politike është transparenca përmes hetimit, duke hapur kutitë". Ai theksoi se "Kushtetuta është pika e referimit të PS-së, e cila është gati për zgjidhjen që kërkohet fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar". "Opozita është e gatshme për zgjidhjen e krizës politike", tha Rama, duke shtuar se "transparenca është në themel të saj". Kreu i PS kërkoi hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa shtoi se kutitë e votimit i lihen në dorë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias. Duke reaguar ndaj kërkesës së Kryeministrit Berisha për të lejuar ekipet mjekësore në mjediset e grevës së urisë, Rama tha se greva e opozitës, e nisur dy javë më parë, është më shumë se transparente. "Janë kartelat e të gjithë grevistëve në spital që flasin shumë qartë. Greva monitorohet nga mjekë të respektuar", pohoi Rama, duke shtuar se "nëse qeveria kërkon të bëjë inspektime le t'i bëjë kush të dojë, nuk e pengon askush". /e.gj//s.s./
KOMENTE