Shënim - Media Greke E Rezervuar Për Vizitën E Erdoganit Në Athinë
ATHINË, 15 maj /ATSH-AFP/ - Shtypi grek nënvizoi sot qëllimet e mira të vizitës së kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan në Athinë, por kritikoi faktin se dy vendet fqinje nuk diskutuan për çështjet më problematike të detit Egje dhe ishullit të Qipros.
"Qëllimet janë të mira, por problemet mbeten'', shkruan në titullin kryesor e përditshmja ''Ta Nea''.
Duke përshëndetur nënshkrimin e 20 marrëveshjeve dypalëshe dhe krijimin e një Këshilli të Lartë për bashkëpunimin greko-turk, që parashikon të zhvillojë bashkëpunimin ekonomik, e përditshmja ''Ta Nea'' theksoi se ''çështjet më problematike në lidhje me Egjeun, Qipron dhe minoritetet ekzistojnë akoma.
Për të përditshmen Kathimerini, ''qëndrimet e dy vendeve janë të pandryshueshme pavarësisht qëllimeve të mira''.
''Nënshkrimi i marrëveshjeve nuk është ndjekur nga një progres thelbësor përsa i përket çështjeve të diskutueshme'', thekson gazeta.
E përditshmja ''Eleftheros Tipos'' kritikoi qëndrimin pasiv të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu përballë kërkesave të Erdoganit.
''Përfundimi në fund të konferencës për shtyp të Papandreut dhe Erdogan ishte se ekziston një mospajtim i hapur në pikëpamjet e tyre'', shton e përditshmja./
/ec/ a.jor.