Shkodër-Ish Të Përndjekurit: Rama Kërkon Suport Për Ps, Duke Tentuar Të Afrohet Me Shtresën E Ish Të Përndjekurve Politikë
SHKODËR, 15 Maj/ATSH-G. Marku/- Shoqata e ish- të përndjekurve politikë të regjimit komunist në qytetin e Shkodrës dënoi sot, përmes një deklarate, përpjekjet e kryetarit të PS-së, Edi Rama, "i cili në grahmat e fundit të aksionit të tij të dështuar politik, po kërkon të gjejë suport për partinë e tij, duke tentuar të afrohet me shtresën e ish- të përndjekurve politikë".
Ne këtë deklaratë denoncohej dhe "ngritja e një burgu të ri me çadra nga të ashtëquajturit grevistë socialistë, në mes të një kryeqyteti dhe të një shteti që aspiron të hyjë në Europë, nga një grup bllokmenësh të rinj, pinjollë të denjë të baballarëve të tyre, që po pengojnë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian" .
Deklarata e ish-të përndjekurve politikë u bë pas një vizite që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu sot në pavionin e të ish persekutuarve politikë të regjimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar, duke u shprehur krenar që PS ka përfshirë në programin e saj politik trajtimin e kësaj shtrese./s.s./