English

Shkodër: "Një Natë Me Serenatën Shkodrane"

SHKODËR, 15 Maj/ATSH-G. Marku/- Serenatat shkodrane shoqëruan të premten në mbrëmje një veprimtari me rastin e 10-vjetorit të shoqatës "Miqtë e serenatës - Lulja e Majit" dhe promovimin e një libri për këto serenata. Pjesëmarrës të shumtë, artistë nga Shkodra dhe Tirana, si dhe qytetarë shkodranë admirues të serenatave, vlerësuan këtë lloj muzike aq të lidhur me dashurinë. Autori i librit "Serenata shkodrane", njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës, Xhemal S. Uruçi, i ftoi nga shkodranët "t'i këndojmë dashurisë njerëzore me këngë të bukura të serenatës shkodrane", pasi vetë këndoi disa serenata që i nxitën të pranishmit të vallëzonin në sallë. Sipas autorit, "libri përmban të dhëna të reja historike e reale rreth persekutimit të serenatës shkodrane." "Nëpërmjet dëshmive, fotografive, humorit, partiturave muzikore, poezive dhe teksteve të serenatave, lexuesit e këtij libri do të njihen me absurdin e kohës moniste që i ndaloi mizorisht serenatat në Shkodër," tha Uruçi. Sipas tij, libri "Serenata Shkodrane" sjell original edhe një herë ritualin e Shëngjergjit shkodran, që vjen në kohën e duhur për ta ringjallur si dikur. Poeti Agim Doçi e konsideroi Shkodrën si "një thesar të traditës dhe të kultivimit të artit, prej së cilës kanë dalë artistë të mëdhenj, deri edhe me famë botërore". Në këtë veprimtari ishte i pranishëm dhe konsulli i Nderit i Austrisë, Gjergj Leqejza, i cili ishte edhe sponsorizuesi i botimit të librit "Serenata shkodrane"./ch/
KOMENTE