Sport-Futboll/ Fatos Beqiraj, Një Kosovar Përballë Kombëtares Shqiptare
TIRANË, 15 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Është shqiptar, i lindur në fshatin Radac të Komunës së Pejës në Kosovë, por më 25 maj pritet të zbresë në fushë me bluzën e Malit të Zi për të mundur Shqipërisë. Ky është sulmuesi 22-vjeçar Fatos Beqiraj, që ka marrë një ftesë nga përfaqësuesja malazeze për dy ndeshjet e ardhshme miqësore të kësaj skuadre.
Mali i Zi pret më 25 maj në Podgoricë Shqipërinë, ndërsa më 29 maj luan kundër Norvegjisë në Oslo. Trajneri i fqinjëve tanë veriorë, kroati Zlatko Kranjçar, publikoi javën e kaluar listën me emrat e futbollistëve të ftuar, në të cilin nuk figuronte Beqiraj. Por thirrja e tij me vonesë u bë për shkak se sulmuesi i Seulit, Dejan Damjanoviç, nuk mundi të marrë leje nga klubi i tij për t'iu bashkuar përfaqësueses së vendit të tij.
Beqiraj e ka nisur karrierën e tij te FK Besa, por që nga sezoni 2007-2008 ka kaluar në radhët e skuadrës së njohur malazeze Buduçnosti, me të cilën deri tani ka qenë aktiv në 87 ndeshje, ku ka shënuar 45 gola. Shpejt u bë një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit malazez dhe u ftua në përfaqësuesen U-21 të këtij vendi. Më pas u ftua edhe në Kombëtaren A.
Deri tani ai ishte aktivizuar në radhët e Kombëtares U-21 të Malit të Zi. /s.s./