English

Sport-Futboll/ Josip Kuzhe: "Miqësoret Test Për Eleminatoret E Evropianit"

TIRANË, 15 Maj / ATSH- Gjergji Mima/.- Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, kroati Josip Kuzhe, publikoi sot gjatë një konferencë për shtyp, emrat e lojtarëve që do të grumbullohen për dy miqësoret ndaj Malit të Zi në 25 maj në Podgoricë dhe Andorrës në 2 qershor në Tiranë. Në listën e publikuar nga Kuzhe bëjnë pjesë 25 lojtarë, teksa pritet të shtohet edhe një portier i tretë, përveç Isli Hidit dhe Saimir Ujkanit. Kuzhe foli për këto dy ndeshje që zhvillohen në fund të sezonit. "Kjo është një periudhë jo e përshtashme për të luajtur, pasi lojtarët vijnë pas një sezoni të gjatë. Gjithsesi, ky nuk është vetëm një problem i yni, pasi e kanë edhe të gjithë ekipet e tjera, por shpresoj që lojtarët të jenë në lojë", tha ai. Përsa i përket disa lojtarëve si, Hidi, Agolli, Bulku, të cilët nuk kanë ende një skuadër, ose kanë luajtur pak, por që gjithsesi janë grumbulluar, Kuzhe sqaroi se "qëllimi për këto dy ndeshje është një testim, pasi kemi zgjedhur dy rivale si Mali i Zi dhe Andorra që kanë mënyrë loje të ngjashme me Rumaninë dhe Luksemburgun, dy skuadrat e para që do të takojmë në eleminatoret për Kampionatin Evropian. Pra, ne duam të testojmë lojën tonë që duam të zhvillojmë ndaj Rumanisë dhe Luksemburgut në shtator dhe këta lojtarë janë të domosdoshëm për këto ndeshje". "Megjithëse disa lojtarë të kombëtares janë zëvendësues tek skuadrat e tyre në kampionatet evropiane si, Bogdani apo Salihi, kombëtarja shqiptare nuk e ka luksin t'i mbajë rezervë apo të mos i grumbullojë fare këta lojtarë", u shpreh Kuzhe. Ndërkohë, në listën e lojtarëve të grumbulluar bëjnë pjesë disa emra të rinj si, sulmuesit Ahmed Jonuzi dhe Parid Xhihani, që luajnë në kampionatin ukrainas, por mungojnë emrat e sulmuesit Edgar Cani dhe mesfushorit Migjen Basha, që luajnë në Serinë B italiane. "Kam dëshirë që t'i shoh personalisht këtë lojtarë. Canin e pashë dhe mendoj se vlen për kombëtaren shqiptare, ndërsa Bashën nuk kam pasur ende mundësi ta shoh. Por, ai ende nuk ka pashaportë shqiptare dhe ky është ende një problem", përfundoi Kuzhe. - Lista e lojtarëve të kombëtares shqiptare për miqësoret ndaj Malit të Zi dhe Andorrës Portiere: Isli Hidi Kryvbas (Ukrainë) Samir Ujkani Novara (Itali) Portieri i tretë (përcaktohet të hënën) Mbrojtës: Andi Lila Tirana (Shqipëri) Armend Dallku Vorskla Poltava (Ukrainë) Kristi Vangjeli Aris Selaniku (Greqi) Ansi Agolli Kryvbas (Ukrainë) Lorik Cana Sunderland (Angli) Ditmar Bicaj Tirana (Shqipëri) Endrit Vrapi Besa (Shqipëri) Debatik Curri Vorskla Poltava (Ukrainë) Mesfushorë: Ervin Bulku Kryvbas (Ukrainë) Klodian Duro Apollon Limasol (Qipro) Ervin Skela Tus Koblenz (Gjermani) Jahmir Hyka Mainz 05 (Gjermani) Gilman Lika Boluspor (Turqi) Emilian Vila Dinamo (Shqipëri) Emiljano Veliaj Laçi (Shqipëri) Gjergj Muzaka Tirana (Shqipëri) Sulmues: Erjon Bogdani Kievo (Itali) Hamdi Salihi Rapid i Vienës (Austri) Edmond Kapllani Tus Koblenz (Gjermani) Elis Bakaj Dinamo (Shqipëri) Bekim Bala Vllaznia (Shqipëri) Ahmed Jonuzi Vorskla Poltava (Ukrainë) Parid Xhihani Zorja Lugansk (Ukrainë) Trajner: Josip Kuzhe /a.ke/
KOMENTE