English

Sport-Futboll/ Talenti Kosovar Kamer Qaka Mahnit Kampionatin Norvegjez

TIRANË, 15 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Talenti kosovar, Kamer Qaka, ka filluar t'i mahnitë adhuruesit e futbollit në Norvegji. Pasi ka nënshkruar kontratë profesioniste me Valerengan, 15 vjeçari ka hyrë në histori të klubit norvegjez si futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë me ekipin e parë. Mesfushori me prejardhje nga Kosova, të enjten ka debutuar me ekipin e parë të Valerengas, në ndeshjen e rrethit të parë të Kupës së Norvegjisë kundër ekipit Oppsal. Ai ka hyrë në minutën e 46-të, derisa ka arritur të shënojë golin përfundimtar të kësaj përballjeje. "Kjo ishte një eksperiencë e mirë për mua. Kam marrë vetëbesim të madh pas kësaj paraqitjeje. Synimi im ka qenë gjithmonë që të luaj me ekipin e parë të Valerengas", ka thënë Qaka, i cili për herë të parë luante në prani të një numri të madh spektatorësh. Pasi ka realizuar ëndrrën që të luajë me ekipin e parë të Valerengas, mesfushori 15 vjeçar pret të luajë edhe në ndeshjet e tjera, pse jo edhe në elitën e futbollit norvegjez (Tippeligaen). Kamer Qaka vlerësohet si njëri ndër futbollistët më të talentuar në Norvegji. Ndërsa, sipas mediave norvegjeze, interesim për t'i siguruar shërbimet e kosovarit ka shprehur kampioni aktual i Spanjës dhe Evropës, Barcelona. Por, përveç katalanasve, interesim për Qakën kanë shprehur klubi anglez Blackburn Rovers, ai danez Brondby dhe dy skuadrat nga Bundesliga gjermane, Hamburg e Verder Bremen. /a.ke/
KOMENTE