Sport/ Rrethi I 66-Të Çiklistik Nis Rrugëtimin Javën E Ardhshme
TIRANË, 15 Maj /ATSH- Gjergji Mima/- Rrethi i 66-të Çiklistik i Shqipërisë do të nisë rrugëtimin e tij javën e ardhshme. Me këtë vendim kanë dalë pas shumë konsultimesh edhe me klubet pjesëmarrëse, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Sipas sekretarit të Federatës së Çiklizimit, Alfred Tahiraj, këtë vit kanë konfirmuar pjesëmarrjen ekipet e Flamurtarit, Besëlidhjes, Teutës, Apolonisë, Besës, Vllaznisë, Skënderbeut, Burrelit, Tiranës dhe Elbasanit. Edhe këtë sezon sikurse në edicionet e kaluara të një ndër tureve më të vjetra në Evropë pritet të marrë pjesë një ekip i huaj nga Patra e Greqisë.
Rrethi i 66-të Çiklistik do të nisë të hënën me 20 xhiro në bulevardin e kryeqytetit për të vazhduar konkurrimin në itinerarin e ndarë në 6 etapa, duke filluar me Tiranë-Elbasan. Etapa e fundit, që do të përcaktojë edhe kampionin e 2009-ës, do të jetë Korçë-Tiranë.
Federata Shqiptare e Çiklizmit, ka marrë masat për mbarëvajtjen normale të evenimentit. Ndihmesë të madhe për një organizim perfekt të Rrethit të 66-të Çiklistik kanë dhënë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si dhe bashkitë ku do të pedalojnë çiklistët ajo e Tiranës, Elbasanit, Korçës dhe Përmetit.
Drejtuesit e Federatës u shprehën se këtë vit parashikohet të zhvillohen gara edhe më të forta dhe interesante krahasuar me vitin që lamë pas. Sezonin e kaluar ky rreth u fitua nga skuadra e Apolonisë, ndërsa kampion u shpall Jonid Toska. /s.s./