Sport-Volejboll/ Tirana Dhe Studenti Konfirmojnë Pjesmarrjen Në Kupat Evropiane
TIRANË, 15 Maj / ATSH- Gjergji Mima/.- Federata Shqiptare e Volejbollit konfirmoi sot emrat e skuadrës së Tiranës për femra dhe Studentit për meshkuj, si pjesëmarrëse sezonin e ardhshëm sportiv 2010-2011 në Kupat e Evropës.
Gjithashtu, drejtuesit e këtyre dy ekipeve kanë konfirmuar zyrtarisht praninë e tyre në arenën ndërkombëtare sezonin e ri.
Në bazë të renditjes evropiane dhe koeficientit, skuadrat tona do të luajnë, ashtu si edhe vjet, në turneun e Challenge Cup. Por, këtyre dy skuadrave mund t'u shtohet edhe një e tretë, vetëm te meshkujt, pasi Shqipëria ka të drejtë të marrë pjesë me dy ekipe meshkujsh dhe një femrash në Kupat e Evropës.
Drejtuesit e FSHV-së sqaruan sot se i është bërë një ftesë edhe Vllaznisë, si nënkampione, por ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare nga klubi shkodran.
Sekretari Tase ka nisur konfirmimin zyrtar për ekipet e Tiranës dhe Studentit, dy skuadrat kampione të vendit tonë në sezonin 2009-2010, që sapo u mbyll.
Tirana dhe Studenti ishin të vetmet skuadra që e përfaqësuan Shqipërinë në arenën ndërkombëtare edhe sezonin e fundit, duke u eliminuar që në ndeshjet e para të Challenge Cup (Kupa e Sfidantit).
Ende nuk dihet se kur do të mësohen emrat e ekipeve rivale, por mendohet që në muajin korrik të hidhet shorti i Kupave të Evropës.
Drejtuesit e ekipeve të Tiranës për femra dhe Studentit për meshkuj kanë konfirmuar se do të ndërhyjnë në merkato, për të përforcuar grupin dhe për të bërë një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. /a.ke/