English

Tajlandë - Të Paktën Tre Të Vdekur Gjatë Përleshjeve Të Sotme

BANGKOK, 15 maj /ATSH-AFP/ - Të paktën tre persona gjetën vdekjen sot në mëngjes gjatë përleshjeve të tjera mes ushtarakëve dhe manifestuesve në Bangkok, arenë e përleshjeve të vazhdueshme që prej më tepër se 24 orëve, njofton një gazetar i AFP-së dhe disa dëshmitarë. Sipas fotoreporterit, tre trupa të cilët ndodheshin të shtrirë në rrugë pas luftimeve, u morën nga banorët. "Më thanë se dy trupa të tjerë ndodhen akoma në rrugë, por nuk po i shoh", bëri të ditur ai. Këto përleshje u zhvilluan në veri të lagjes së kontrolluar nga "këmishëkuqtë" antiqeveritarë, një zonë deri tani e papërfshirë në luftime. Një fotoreporter i AFP-së njoftoi se ka parë në vend një tabelë të vendosur nga autoritetet ku shkruhej në anglisht "zonë e goditjeve me plumba të vërtetë". Përleshjet në Bangkok kanë shkaktuar që nga dita e djeshme të paktën 16 të vdekur dhe 140 të plagosur. Sipas një të huaji i cili banon në këtë lagje, ushtarakët hapën zjarr që në orët e para të ditës në drejtim të rreth "20 manifestuesve. Të paktën tre burra dhe një grua janë vrarë, bën të ditur ai. Një anëtar i sigurisë së hotelit "All Seasons" i bëri të ditur gjithashtu AFP-së me telefon se "katër ose pesë trupa" ndodheshin ende përpara ndërtesës. /I.Pu.
KOMENTE