English

Topalli: Nënë Tereza I Dha Një Dimension Universal Fjalës Nënë

- Konferenca Ipeshkvnore organizon simpozium në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës - TIRANË, 15 Maj/ATSH-Anila Struga/.- "Nënë Tereza nuk imponoi askënd, por përmes dashurisë dhe devocionit ajo i bëri njerëzit të kuptojnë se përmes përulësisë, ngrohtësisë, faljes së dashurisë, gjithkush mund të zbulojë brenda vetes anën humane, dinjitetin e lumturinë", u shpreh sot kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. E pranishme në simpoziumin për Nënë Terezën, "Eja, ji drita ime", organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, në kuadër të kremtimeve për 100-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, themelueses së Misionareve të Dashurisë, Topalli vlerësoi këtë figurë mbarëbotërore. Në simpozium ishin të pranishëm ipeshkvijtë shqiptarë, Presidenti i Konferencës Imzot Rrok Mirdita, Nunci Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Molner Ingles, motrat Misionare të Dashurisë, të themeluara nga Nënë Tereza, Liri Berisha, Presidente e Shoqatës Kulturore "Nënë Tereza", etj. Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar figurën e Nënë Terezës tha se "ajo ka qënë simboli i gruas që diti të jetë e tillë deri në fund të jetës, shembulli i njeriut, që edhe pse i brishtë e i vogël, ishte i aftë të bënte gjëra të mëdha dhe përfundimtare". "Ajo ishte një grua që me sigurinë e saj iu imponua dhe nuk pati frikë as udhëheqës shtetesh e njerëz të fuqishëm, kur ishte fjala për të mbrojtur vlera, të cilat ajo i përfaqësonte pafundësisht siç ishte familja dhe mbështetja për të varfërit", u shpreh kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, Nëna Tereza me jetën e saj i dha një dimension universal fjalës dhe realitetit të nënës. "Me të, fjala "nënë" e tejkaloi rrafshin vetëm biologjik", tha Topalli. Duke vlerësuar rolin e Nënë Terezës në ndihmë të njerëzve të varfër, Topalli tha se "Nënë Tereza u bë nënë e të gjithëve e sidomos nëna e të varfërve ndër më të varfërit, sepse sipas saj vetëm dashuria i jep njeriut dinjitet dhe ajo diti t'u japë dashuri, t'u japë dinjitet atyre që e kishin humbur atë". Sipas kryetares së Kuvendit, "fjalët e Nënë Terezës janë gjithmonë aktuale, pasi ajo na mësoi se nëse ne do të shikonim anët negative të jetës, mund të biem në dëshpërim, por nëse do të kemi vullnetin të shohim e kuptojmë gjithshka të bukur që ndodh e që kemi rrotull, ne do të jemi të aftë të transformojmë vendin tonë". Në Simpozium mbajtën ligjërata imzot Rrok Mirdita, President i Konferences Ipeshkvnore, Nunci Apostolik në Tiranë Imzot Ingles, etj, të cilët folën mbi aktivitetin e gjerë human të bamirëses së shquar./n.m/
KOMENTE