English

Uji i pijshëm, Ujësjellësi: Në rrjet s’ka ndotje

Tiranë, 15 maj, NOA - Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës deklaron se uji i pijshëm me të cilin furnizohen banorët e qytetit të Tiranës nuk është i ndotur. Drejtori teknik në drejtorinë e Ujësjellësit, Luan Peti ka kundërshtuar rezultatet e analizave të ujit të kryera nga drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë.

Sipas Ujësjellësit, i vetmi problem me ujin e ndotur është në Komunën e Parisit, në një pallat.

“Ne nuk disponojmë analizat e ujit të kryera gjatë muajit prill, por ne kryejmë vetë analiza ditore e mujore dhe nga të dhënat tona nuk asnjë zonë në Tiranë që të ketë ujë të ndotur. I vetmi problem për ne është një pallat në Komunën e Parisit, dhe atje kemi ndërprerë furnizimin nga rrjeti deri sa të gjejmë pikën ku rezulton problemi. Për furnizimin e banorëve të pallatit me ujë, kemi marrë masa që të sjellim një autobot përditë”, shprehet drejtori teknik, Luan Peti.

Dy ditë më parë, drejtoria e Shëndetit Publik deklaroi se në 5 zona të Tiranës ka rezultuar ujë i ndotur disa herë gjatë muajit prill, por më problematiku sipas analizave të ujit rezultonte sheshi “Avni Rustemi”.

Ky moskordinim i të dhënave mes drejtorisë së shëndetit publik dhe ujësjellësit nuk është rasti I parë. Përplasja e analizave herë ka fajësuar njërën palë dhe herë tjetrën, por ata që vuajnë pasojat e këtij mosrakordimi janë banorët, të cilët mund të preken nga një epidemi uji siç ndodhi në rastin e Ballshit.

b.a/NOA

KOMENTE