Tiranë, 15 maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Partia Socialiste bën thirrje për ngritjen e një institucioni që të arkivojë me drejtësi e me këmbëngulje historinë e errët të komunizmit.
Ka qenë lideri i opozitës, Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë periudhë si mjaft të rënë pasi shkatërroi familje e ndau njerëz në emër të idealit të parajsës, por në fund i kyçi ata në portat e ferrit.
Rama theksoi se në emër të gjakut të derdhur kot, është i vendosur t’i shkojë deri në fund zbardhjes së të vërtetës.
“Ka ardhur koha që të ngrihet një institucion për arkivimin me drejtësi e këmbëngulje të historisë së errët të asaj periudhe e cila shkatërroi dhe ndau mijëra familje, në emër të një ideali i cili u premtonte parajsën, por në fund i çoi përtej portave të ferrit.
Fatmirësisht, si tek ne dhe në vendet e ish-botës komuniste kjo periudhë mori fund. Unë jam i vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj historie, e cila duhet kujtuar”, u shpreh Rama.
Këto komente kryetari i PS-së, i bëri gjatë një vizite në Muzeun Kombëtar ku është hapur ekspozita me veprat e shkrimtarëve disidentë të periudhës së komunizmit të vrarë nga regjimi. Mes emrave të viktimave ishin poeti Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka etj.
b.a/n.e/NOA