Vokshi: Gratë, Zë I Rëndësishëm Për Integrimin Europian
TIRANE, 15 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë ka filluar procesin zgjedhor për ristrukturimin e saj në një takim sot në Tiranë, ku kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi ftoi të gjitha anëtaret dhe simpatizantet, që të kontribuojnë për promovimin e vlerave të gruas shqiptare.
Vokshi theksoi se "as aktet më të shëmtuara dhe më të paprecedente të ngujimit në grevën e rrugës edhe të nënave me fëmijë, as thirrjet për mosbindje qytetare, nuk do t;a ndalin dot rrugën tone për integrimin në Evropë".
Ajo shtoi se demokracia me vlerat Europiane nuk arrihet me protesta në rrugë dhe në tendat e mbullura të ngujimit të Edi Ramës, por në rrugë institucionale demokratike e kushtetuese.
Kryetarja e LDGSH-së nënvizoi se "zgjodhëm modelin, që integroi Shqiperinë në NATO, modelin që do të sjellë më shumë zhvillim ekonomik, modelin që e bëri gruan më dinjitoze dhe kontributore në jetën ekonomike e sociale të vendit".
Albana Vokshi përfundoi duke thënë se LDGSH mbështet programin e Qeverisjes Demokratike, pasi "ne nuk jemi thjesht një numër por një zë i rëndësishëm në vendimmarrje, një partnere me të drejta të plota".
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është organizim vullnetar i grave shqiptare të bashkuara mbi bazën e parimeve dhe të vlerave të liberaldemokracisë në Shqipëri./n.m/