Abuzonte Me Detyren, Në Pranga Kryetari I Komunës Trebinjë
TIRANË, 16 Maj /ATSH/ .- Sot eshte vënë në pranga kryetari i komunës së Trebinjës në Qarkun e Korçës, Gjergj Buzo, i akuzuar për "Korrupsion dhe abuzim me detyrën, kundrejt shumave të konsiderueshme ".
Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur për ATSH-në se 42 vjeçari Buzo, i cili aktualisht ushtron detyrën e kryetarit të kësaj komune, akuzohet se përmes funksionit të tij, ka përfituar shuma të konsiderueshme të hollash, në këmbim të favoreve që i mundësonte detyra e tij si kryetar.
Sipas policisë, në ngarkim të shtetasit Buzo, me banim në Pogradec, ka filluar çështja penale për "Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë".
Arrestimi i këtij shtetasi u bë i mundur pas finalizimit të operacionit policor "Rryshfeti", ndërkohë që 42 vjecarit iu sekuestruan në banesën e tij 70.900 lekë me prerje te ndryshme, si dhe një pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje.
Materialet hetimore në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Pogradecit për hetime të mëtejshme./m.sh//a.ke/