Bsh: Treguesi I Besimit Te Konsumatorit Per Industrine U Rrit 5%
- Banka e Shqipërisë publikon rezultatet e Vrojtimit të Biznesit dhe të Konsumatorit -
TIRANE, 16 Maj /ATSH-E.Xhajanka/.- Treguesi i besimit të konsumatorit ndaj zhvillimimeve të sektorit të industrisë (TBI) u rrit me 5 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të parë të vitit 2010.
Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar sot mbi vrojtimin e biznesit dhe të konsumatorit për sektorët e ekonomisë, bën të ditur se pas rënies në tremujorin e fundit të vitit 2009, prirja rritëse nga niveli më i ulët i shënuar në tremujorin e parë 2009 duket të ketë rifilluar në tremujorin aktual.
Niveli i këtij treguesi i është afruar mesatares së tij afatgjatë, duke qëndruar 3.1 pikë përqindjeje poshtë saj.
BSH-ja bën të ditur se përmirësimi i besimit të bizneseve të industrisë reflekton vlerësimin më pak negativ të prodhimit dhe të punësimit si dhe nga rënia e inventarëve.
Vlerësimi i bizneseve të industrisë për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për aktivitetin e përgjithshëm të biznesit të tyre është përmirësuar në krahasim me tremujorin e kaluar.
Faktorët me ndikimin më të madh negativ në ecurinë normale të bizneseve të industrisë janë cilësuar problemet me kuadrin ligjor dhe institucional si dhe vështirësitë në gjetjen e tregjeve të reja për shkak të krizës botërore. Vlerësimi i bizneseve për kërkesën e brendshme dhe të jashtme është përmirësuar.
Në këtë mënyrë, shfrytëzimi i kapaciteteve ka njohur rritje, duke shënuar nivelin 68 %, në krahasim me 64.8 për qind në tremujorin e kaluar. Çmimet e prodhimit industrial, sipas vrojtimit të tremujorit të parë 2010, kanë vijuar prirjen rritëse të filluar që nga tremujori i tretë i vitit 2009. Balanca e tyre është rritur me 3.9 pikë përqindjeje. /a.ke/