Durrës: Det I Trazuar, Tragetet Ankorohen Me Një Orë Vonesë
DURRËS, 16 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/- Moti i paqëndrueshëm, i shoqëruar me erë të forte, si dhe deti i trazuar me forcë 5 do të karakterizojnë sot situatën metereologjike në rajonin detar të Durrësit; bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit më të madh të vendit.
Sipas të njëjtit burim, tre tragetet e linjës Bari-Durrës që kanë lundruar gjatë natës nga porti italian po ankorohen në kalatat përkatëse me rreth 1 orë vonesë për shkak të detit të trazuar. Sot pasdite në portin detar pritet të mbërrijë dhe një traget i ngarkuar kryesisht me kamionë nga porti i Triestes (Itali).
Që prej 24 orësh era vazhdon të fryjë e fortë nga jugperëndimi dhe gjatë ditës së shtunë ka patur shtrëngata shiu.
Anijet e tonazhit të vogël dhe të mesëm si dhe motopeshkatoret nuk këshillohet të dalin nga baseni i portit-thanë burimet, duke kujtuar se si pasojë e detit të trazuar paraditen e djeshme një anije tregtare e radës së portit u shkëput nga spiranca dhe mbeti në cektimat e plazhit.
Sipas burimeve pasditen e sotme pritet dobësimi i erës dhe përmirësimi i kushteve detare. /k.sh/