Gjirokastër: "Makineritë E Leonardo Da Vinçit", Ekspozohen Në Kala
GJIROKASTËR, 16 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Arkitektët italianë Giuseppe Manisco dhe Simone Mazzetto kanë çelur në kalanë e Gjirokastrës ekspozitën "Makineritë e Leonardo Da Vinçit", të ndërtuara në bazë të vizatimeve të këtij gjeniu të rilindjes italiane që shkëlqeu në të gjitha fushat e artit dhe shkencës.
Në kornizën tërheqëse të kalasë janë ekspozuar për artëdashësit mbi 40 makineri të rindërtuara. Mes tyre gurë hedhës, lupë diellore për djegien e anijeve, aparat për matjen e erës, parashutë, peshore, top me fitil, shkallë për mbrojtjen e kështjellës, makinë korrje, makinë për pastrimin e ajrit etj., të cilat Da Vinçi i shpiku vetë.
Ekspozita është çelur më parë në kalanë Acaya në Lece dhe falë Institutit te Kulturave Mesdhetare të provincës së Leces, edhe publiku shqiptar do ta shijojë atë. Pas prezantimit në qytetin e Gjirokastres, "Makineritë e Leonardo Da Vinçit", do të "udhëtojnë" në Tiranë, në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur nga datat 19-22 maj në Akademinë e Arteve.
"Ideja e kësaj ekspozite lindi nga takimi në tetorin e shkuar në Vlorë me artistin Giuseppe Manisco gjatë "Javës së gjuhës italiane nëpër botë", kujton Mazzetto, ndërsa nënvizon se "Leonardo Da Vinçi është artisti më i famshëm italian në botë. Kur përmendet emri i tij çdokush kalon nëpërmend Xhakondën ose Darkën e fundit".
Mazzeto thotë për ATSH-në se makineritë e Da Vinçit shfaqin kuriozitet dhe na frymëzojnë për të ndërtuar veprat të reja në kohët monderne.
"Jo të gjithë e njohin shumëllojshmërinë e veprave të prodhura nga gjeniu i rilindjes. Ai është piktor, skulptor, arkitekt, inxhinjer, shkencëtar dhe shpikës", thekson Mazzeto.
Sipas tij, zgjedhja e kalasë së Gjirokastrës për celjen e kësaj ekspozitë lidhet me dy arsye, nga njëra anë dhënia e një vazhdimësie historike e skenografike dhe nga ana tjetër, kontributi që duam t'u japim autoriteteve lokale e qëndrore për Gjirokastrës, si destinacion turistik.
Giuseppe Manisco, bashkërealizuesi i ekspozitës, tregon se "makineritë" e Leonardo Da Vinçit u krijuan nga verifikimi direkt i fenomeneve natyrore, nga eksperienca e të vepruarit, si dhe nga aftësia e riprodhimit.
"Kjo ekspozitë ka për qëllim të nënvizojnë dhe të dëshmojë jo vetëm personalitetin e Da Vinçit, por edhe kulturën rilindase italiane, mbi të cilën lindi dhe u rrit kultura europiane", nënvizon Manisco.
Leonardo da Vinçi u lind në 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit (Itali) dhe ndërroi jetë më 2 maj 1519 në Kështjellën e Cloux (Kluks) të Ambuazit. Ishte arkitekt i famshëm, shpikës, inxhinjer, piktor e skulptor italian i Rilindjes. Da Vinçi mund të mendohet si një kryetip i njeriut të rilindjes dhe është përcaktuar shpesh si një gjeni, për shkak të shkëlqimit të tij në të gjitha fushat e artit, për zbulimet e tij shkencore dhe shpikjet teknike, që duken një përparim i madh në krahasim me kohën e tij.
Bazuar në jetëshkrimin e Leonardo Da Vincit, ai ishte i magjepsur nga fluturimi. Bëri studime të hollësishme mbi fluturimin e zogjve dhe projektoi makina të ndryshme fluturuese, përfshirë edhe një helikopter që vihej në lëvizje nga katër njerëz..
Është i tiji projekti i parë i dokumentuar mbi një robot humanoid (si-njeri) rreth viteve 1495. Shënime të rizbuluara në vitet 1950 në kodikun atlantik dhe në libërtha shënimesh xhepi që datojnë rreth 1495 - 1497 tregojnë skicime të hollësishme mbi një kalorës mekanik, që ishte me sa duket në gjendje të ngrihej në këmbë, lëvizte krahët, kokën dhe nofullat, duke nxjerrë tinguj nga goja (falë një mekanizmi të përparuar goditës të vendosur në lartësinë e gjoksit).
Në vitin 1502 Leonardo da Vinçi bëri një skicim të një ure me një shtrirje prej 240 metrash, si pjesë e një projekti të inxhinierisë civile për Sulltanin osman Beyazid II.
Shënimet e tij përmbajnë një numër të madh shpikjesh në fushën ushtarake: mitraloz dhe "tanke" të lëvizura nga njerëz apo kuaj, bomba copëtuese, etj. Edhe pse kishte bindjen se lufta është veprimtaria më e keqe njerëzore.
Shpikje të tjera përfshijnë nëndetëset, parashutën, biçikletën, një aparat me rrota të dhëmbëzuara (njehsori i parë mekanik), një automobil (vetëlëvizës) shtyrë nga një mekanizëm me sustë dhe një tezgjah automatik.
Çelja e ekspozitës "Makineritë e Leonardo Da Vinçit" u mbështet nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit e Shkencës.
Të pranishëm në hapjen e saj ishin ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, Spiro Ksera, prefektja e qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo, Konsulli i Përgjithshëm Italian në Vlorë, Sergio Strozz, etj. /k.sh/