Tiranë, 16 maj, NOA - Konfindustria, mbështetur në ankesat në shtim nga bizneset, shpreh shqetësimin për dukurinë se ekziston dyshimi, “që përfaqësues të sistemit të drejtësisë me vendimet e tyre jo profesionale po cënojnë rëndë barazinë në treg të bizneseve”.
“Dukuria e mësipërme është më e pranishme në institucionet e drejtësisë së rretheve kryesore të vendit ku Tirana zë numrin kryesor”, thuhet në deklaratën përkatëse të këtij organizmi të biznesit, duke shtuar se është duke përgatitur një plan veprimi për vëzhgimin dhe vlerësimin profesional të respektimit të procedurave nga vendimet e gjykatave për konkurueshmërinë e bizneseve.
“Të dhënat e grumbulluara, shoqëruar me arsyetimet profesionale përkatëse për çdo rast të vendimeve dhe veprimeve të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, që do të gjykohen se janë në shkelje të ligjit, do të përcillen për vlerësim pranë institucioneve shtetërore si Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë etj, si edhe përpara opinionit publik”, shton administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.
“Një sistem gjyqësor i korruptuar dhe jo profesional, që nuk jep drejtësi, por bëhet palë për të luftuar konkurrencën ndërmjet subjekteve në treg jo vetëm godet me pasoja të pallogaritshme biznesin dhe efektivitetin e ekonomisë kombëtare në afatgjatë, por njëkohësisht në thelbin e tij është varrosës i vetë shtetit demokratik”, përfundon deklarata.
n.e/NOA