Kosovë - Akr: Kundër Bisedimeve Politike Me Serbinë, Do Të Preknin Statusin E Vendit
PRISHTINË, 16 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Aleanca Kosova e Re (AKR), parti e udhëhequr nga Behgjet Pacolli, u deklarua sot kundër bisedimeve politike me Serbinë, sepse do të preknin statusin e Kosovës së pavarur.
AKR konsideron se, "përderisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, është nonsens të besohet se bisedimet do të jenë të karakterit teknik". "Çdo nismë për të zgjidhur probleme teknike, do të përfundojë në bisedime politike, për faktin se Serbia konteston ndërtimin e një relacioni të reciprocitetit shtetëror me Kosovën", tha sot shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, në një konferencë shtypi në Prishtinë.
"Nga ana e saj, Republika e Kosovës, ka dhënë prova se është e gatshme të negociojë për çështje praktike, por një vullnet i tillë ka munguar nga ana e Serbisë, e cila e riaktualizon çdo herë çështjen e bisedimeve për të vënë sërish në pikëpyetje statusin e Kosovës", shtoi ai.
"Rrjedhimisht AKR është kundër bisedimeve politike me Serbinë, por në të njëjtën kohë e gatshme që të bisedojë për të gjitha çështjet praktike si dy shtete fqinjë", theksoi Makolli.
AKR ëshë një nga partitë e reja kosovare, e cila për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 dhe ka fituar 13 mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës.