Kryeministri Berisha Merr Pjese Ne Koncertin E Organizuar Nga Delegacioni I Bashkimit Evropian Me Rastin E Dites Se Evropes
TIRANE, 16 maj/ATSH/. - Kryeministri Berisha ishte sot i ftuar në koncertin simfonik "Tinguj Evropianë" në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrise, z. Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij, zonjën Liri Berisha, ishin të ftuar nga kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadori Helmut Lohan, për të ndjekur koncertin e orkestrës simfonike të TOB dhe performancën e tenorit të mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu. Ky koncert u organizua me rastin e Ditës së Evropës dhe në të merrte pjesë edhe kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli dhe personalitete të larta të politikës, artit, shkencës etj.
Tenori Saimir Pirgu është një nga zërat më të njohur të muzikës lirike shqiptare në botë, fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, solist në mjaft opera, ndër më prestigjiozet e botës si, në Berlin, Vjenë, Mynih, Hamburg, Madrid, Zyrih, Romë, Bolonjë etj.
Në këtë koncert, kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, si dhe të ftuarit e tjerë patën rastin të ndiqnin pjesë të mirënjohura nga Moxart, Donizetti, Preng Jakova, Verdi, Massent, Cilea etj. /a.ke/