Pa u hapur kutitë Shqipëria nuk i hap rrugë këtij pushteti të grabitur që po e grabit dhe po e rraskapit përditë Shqipërinë
Nga Edi Rama
Kjo grevë urie ushqen pasionin për politikën, për të cilën Shqipëria ka uri. Është një fjalë që thotë gjithçka për politikën, ashtu siç ne e kuptojmë. Për politikën si një fuqi për t’i ndryshuar gjërat me të cilat ndeshemi e na pengojnë që të shkojmë përpara, në qytetin tonë, në fshatin tonë, në Shqipërinë tonë. Për politikën si një forcë për të mbrojtur interesin publik.
Për politikën si një forcë emancipuese e jo barbarizuese e bashkëjetesës sonë demokratike e qytetare. Për politikën si një promotore e paqes dhe jo e luftës, si një promotore e dashurisë dhe e mirëkuptimit dhe jo e urrejtjes dhe e ndasisë. Për politikën si një ushqim që i jep organizmit të shoqërisë të gjitha ato energji që i duhen për të rendur pas aspiratave të mëdha.
Për atë politikë që i dha jetë edhe protestës të dy ditëve më parë, e cila mahniti Shqipërinë, mahniti dhe opinonion publik ndërkombëtarë, për dimensionin e saj qytetar dhe paqësor.
E cila dëshmoi jo vetëm flakën e pasionit tonë me të cilën duam të ndriçojmë rrugën e demokracisë dhe të zhvillimit, por edhe forcën e rezistencës paqësore dhe qytetare. Forcën e arsyes, që është arma jonë e pathyeshme.
Nga ana tjetër jam i keqardhur, por nuk i ndihmoj dot kundërshtarët tanë kaq të zhgënjyer, që protesta jonë nuk theu asnjë xham. Që protesta jonë nuk këputi asnjë lule. Që protesta jonë nuk cënoi uniformën e asnjë polici. Të zhgënjyer sepse prisnin që e gjithë propaganda e tyre e turpshme, që kishte ushqyer me ditë të tërë mbarë Shqipërinë, por edhe përfaqësinë ndërkombëtare për protestën tonë si një rrezik që i kanosje qetësisë publike. Si një rrezik që i kanosej stabilitetit të vendit.
Ndërkohë që mezi e prisnin për të pasur në dorë një alibi, për të pasur në dorë një justifikim, për të pasur në dorë një argument që nuk do ta kenë kurrë, që të degjelitimojnë, që të zhvlerësojnë atë që është arsyeja madhore e kësaj proteste që nuk do të ndalet.
Arsyeja madhore e kësaj rezistence që nuk do të thyhet. Arsyeja madhore e kësaj opozite që nuk do të zmbrapset. Dhe që ka të bëjë me një liri dhe të drejtë elementare, për të garantuar transparencën që do të garantojë votën e lirë të çdo qytetari e qytetareje, duke garantuar njëkohësisht Shqipërinë. Duke garantuar njëkohësisht rrugën e demokracisë dhe zhvillimit të vendit, jo si një forcë shkatërruese, por si një forcë që ndërton, jo si një forcë që zhbën, por si një forcë që bën.
Kjo është forca jonë, e me këtë forcë kauza jonë ka shkuar përpara. Falë kësaj force ne jemi pranë arritjes së qëllimit tonë. Përmes kësaj force dhe arritjes së këtij qëllimi ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria mbarë, e çdo shqiptarë e shqiptare të çlirohet, nga makthi i pa mundësisë për të zgjedhur lirisht, të çlirohet nga makthi i pamundësisë për të folur lirisht. Të çlirohet nga makthi i pamundësisë, për të qenë lirisht në pozicionin që do, me apo kundër qeverisë.
Kundërshtarët tanë duhet ta harrojnë se ne do të lodhemi. Duhet ta harrojnë se ne do të mërzitemi. Duhet ta harrojnë se ne do të humbasim durimin. E duhet ta harrojnë se ne rrugën tonë, rrugën e të vërtetës sonë, që është e vërteta për të cilën sot ka nevojë Shqipëria.
Ndërkohë që pa asnjë dyshim në këtë rrugë asnjë nga pengesat që do të na vënë përpara nuk do të jetë e pa kapërcyeshme për ne. Asnjë nga vështirësitë e kota e të dëshpëruara, që do të na krijojnë përpara, nuk do të jetë e pathyeshme për ne. Sepse në këtë betejë miqtë e mi, është përputhur si rrallë herë, interesi publik, me gjithçka ne përfaqësojmë. Interesi i të gjithëve, me atë që ne duam si palë. Interesi i kujtdo, qoftë në krahun tonë, qoftë kundër nesh, që njësoj ka nevojë për të qenë i lirë, njësoj ka nevojë për të qenë i garantuar në të drejtën e tij.
I them Sali Berishës, të qeverisësh nuk do të thotë të sundosh mbi opozitën. Të qeverisës nuk do të thotë të kalosh tërë ditën e tërë natë për të organizuar sulmet mbi opozitën. Të qeverisësh nuk do të thotë të rrish lidhur pas opozitës, sepse ndihesh i lidhur nga opozita. Të qeverisësh do të thotë të merresh me ekonominë, do të thotë të merresh me shërbimet të cilat njerëzit kanë nevojë.
Do të thotë të garantosh zhvillimin dhe mirëqenien e vendit tënd. Do të thotë të harmonizosh energjitë dhe veprimet edhe me kundërshtarët, sepse në këtë vend secili ka pjesën e tij nën diell. Dhe dielli nuk mund të ngrohë vetëm ata që janë në pushtet, ndërkohë që për të tjetër nuk ka asgjë tjetër përveçse lëmoshës së bukës së qeverisë, ose as ajo në rast se janë kundër pushtetit. Kjo është e pamundur.
Të qeverisësh Sali Berisha nuk do të thotë ta mbash pushtetin me zor pa qeverisur. U bënë muaj dhe muaj të tërë që zotrote nuk qeveris, po vetëm organizon shtetin e tërë për të ndaluar, për të penguar, për të shkurajuar, për të dëshpëruar opozitën. Nuk ja ka arritur dhe e vetmja gjë, që dita ditës po ndodh, është se ti vetë po dëshpërohesh.
Njerëz të dëshpëruar bëjnë vetëm veprime të dëshpëruara. Dhe nuk ka veprime më të dëshpëruara se ato që kemi parë gjatë gjithë këtyre ditëve, që janë të ngjashme si dy pika uji me veprimet e dëshpëruara që bënte partia e punës në kohën e shpartallimit të saj, kur Shqipëria po ndahej nga diktatura dhe po hynte në rrugën e pluralizimit.
Antimitingje, peticione, artikujsh gjoja intelektualësh në bukën e qeverisë, gjithfarë njerëzish e gjithfarë mjetesh të vëna në dispozicion të një lufte të humbur, të vëna në dispozicion të një beteje të pamundur, të vëna në dispozicion të një kohe që ka ikur. Iku koha kur vota e shqiptarëve mund të vidhet. Koha kur çdo votë duhet të numërohet ndershmërisht pasi është hedhur lirisht ka ardhur.
Na takon që kësaj kohe thjesht dhe vetëm ti bëjmë vend mes nesh, duke e kthyer në ligj garancinë e të gjithëve dhe për të gjithë, se zgjedhjet janë gjykimi i popullit dhe jo rasti kur pushteti e ndalon këtë gjykim. Unë dua ta bëj shumë të qartë, se ne nuk jemi në këtë betejë për të marrë pushtetin në tavolinë. E kemi thënë çdo ditë, nuk do të rreshtim së thëni, por ama ne nuk tërhiqemi nga kjo betejë deri kur do të sigurojmë që pushteti nuk do të merret më nën tavolinë.
Sali Berisha del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshja, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë , për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë?
Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është ti japësh zgjidhje kësaj krize e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara, prej të cilave kërcënohen zgjedhjet dhe zgjidhjet e ardhshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Çfarë bën zotrote në atë tavolinë, kur nuk je në gjendje të kuptosh dhe as të veprosh lidhur me këtë çështje të madhe me interes publik, që është transparenca.
E në rast se në atë tavolinë nuk bën tjetër gjë zotrote veçse lexon kushtetutën, si ka mundësi që atë kushtetutë që e lexon përditë dhe na e këndon përditë ne të gjithëve, e ke shkelur më shumë se 30 herë i kapur në flagrancë nga gjykata kushtetuese e shumë e shumë herë të tjera. Për cilën kushtetutë flet zotrote, cilës kushtetutë i referohen kukullat e tua që dalin dhe bëjnë çdo ditë paradën e recitimeve nëpër ekranet e televizioneve duke u kujtuar shqiptarëve një kohë të shkuar, kohën kur fliste parti dhe dëgjonte populli, nënshtrohej populli dhe kënaqej partia. Ka mbaruar ajo kohë Sali Berisha, ka ikur, ka perënduar.
Ku ka në Evropë, ku ka në botën e lirë demokratike, kryeministër që ti dalë popullit vetë përpara si triumfator dhe ti thotë, nuk ka zgjidhje, nuk kam zgjidhje, s’më kanë dhënë zgjidhje, nuk di për çfarë zgjidhje flasin. E kuptoni se ku është katandisur qeveria e këtij vendi? E kuptoni sesa të forta janë fijet e interesave personale të këtij oborri ku është mbyllur një pushtet i tërë duke i lenë shqiptarët jashtë rrugëve të zhvillimit dhe të mirëqenies.
A e kuptoni sesa i hidhëruar nga realiteti i shqiptarëve që zgjohen çdo ditë e më të papunë, zgjohen çdo ditë e më të varfër e më të pashpresë. Është Sali Berisha i cili flet për mrekullia ekonomike në Shqipërinë ku vetëm mbyllen vende pune. Flet për mrekullia ekonomike në Shqipërinë ku bien përditë të ardhurat nga ekonomia reale.
Flet dhe asgjë nuk thotë dhe e vetmja gjë që synon dhe bën është të sundojë mbi opozitën dhe të rrijë atje lart, pa bërë asgjë tjetër përveç hyzmetit të ca interesave që nuk kanë lidhje me interesat e njerëzve dhe të vendit.
Unë dua t’i them Sali Berishës: Ka zgjidhje Sali Berisha, e ke zgjidhjen në tavolinë. Bëhu burrë dhe pranoje zgjidhjen, duke i hapur rrugë popullit tënd, duke çliruar energji pozitive dhe duke i dhënë mundësinë njerëzve të këtij vendi që të merren me punë dhe të shohin të ardhmen, duke u garantuar në radhë të parë, në lirinë dhe të drejtën e votës së tyre.
Sepse në qoftë se nuk do të marrë fund koha kur qeveria e merr votën edhe kur populli nuk ja jep, nuk do të marrë fund vuajtja dhe stërmundimi i popullit nën një qeveri që nuk e lë popullin të zgjedhë. E pra kjo kohë duhet dhe ka marrë fund. Ne nuk zmbrapsemi.
Mundësia për transparencë është e gjitha në vullnetin e palëve. Ne e kemi këtë vullnet, gjeje Sali Berisha vullnetin dhe hapi rrugë transparencës, bëja për herë të parë në të gjithë këto vite nderin që i takon Kushtetutës së Republikës, që boll e përfole dhe e përdhunove, ndërkohë që tjetër thua e tjetër bën, e pasi tjetër bën tjetër thua.
Kjo është koha për ta zgjidhur këtë problem të madh, këtë problem që nuk mund ta anashkalojmë pa e zgjidhur, këtë problem nga zgjidhja e të cilit varen shumë zgjidhje për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe kjo kohë nuk duhet humbur. E në këtë kohë ka vetëm një arsye pse problemi nuk zgjidhet dhe kjo arsye është mungesa e kurajës së Sali Berishës për ta parë të vërtetën në sy dhe për të kuptuar se duke e pranuar zgjidhjen i ka hapur rrugë një transparence nga e cila do të fitojë e gjithë Shqipëria.
Unë e di se atij nuk i intereson shumë se çfarë fiton e gjithë Shqipëria, por ndërkohë as Shqipëria s’do t’ia dijë fare për kutitë e tij të mbyllura. Dhe pa u hapur kutitë Shqipëria nuk i hap rrugë këtij pushteti të grabitur që po e grabit dhe po e rraskapit përditë Shqipërinë.
(*) Fjala e plotë e kryetarit socialist, në protestën e mbasdites 16 Maj 2010