English

Orikum- Dhjetëra Projekte Për Investime Në Zonën Bregdetare

ORIKUM, 16 Maj/ATSH-H.Koçi/.-Dhjetëra investitorë kanë aplikuar pranë bashkisë së Orikumit, 20 km në jug të Vlorës, për zbatimin e projekteve të ndryshme turistike në zonën bregdetare Rradhimë- Orikum, pas miratimit të studimit urbanistik nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës. Kryetari i bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, tha për ATSH-në se "administrata e bashkisë është duke shqyrtuar kërkesat dhe projektet e paraqitura dhe brenda pak javësh do t'ia paraqesë ato KRRT-së për miratim". Sipas tij, "projektet e paraqitura nga investitorët janë mjaft ambicioze dhe në to përfshihen resorte, komplekse hotelerike me lartësi 2-3 kate etj". Studimi urbanistik i zonës Rradhimë-Orikum, i hartuar nga një studio italiane, i miratuar disa muaj më parë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, përfshin një hapësirë prej 1300 hektarësh me një gjatësi prej 10 km, gjerësi 1000 metra dhe kapacitet akomodues për 50 mijë pushues. Përmes tij synohet të krijohen kushtet për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe urban në këtë zonë, ruajtja e resurseve turistike, kulturore e arkeologjike që ndodhen këtu, ku përfshihen qyteti antik i Orikut, fshatrat e Tragjasit të Vjetër e Dukatit të Vjetër. Po ashtu, përmes studimit, synohet të krijohet një model i ri urban për ta shndërruar bregdetin e Rradhimës në një hapësirë të përshtatshme për të jetuar e zhvilluar aktivitetin turistik. Në të parashikohen zona funksionale e të balancuara, ku veçohen zonat "qendër", "hoteliere" e "rezidenciale". E veçanta e tij, nga pikëpamja e realizimit është koefiçienti i shfrytëzimit prej 20 për qind, ndërkohë që ndërtimet do të jenë 2 katëshe për zonën kodrinore dhe deri në katër katëshe për atë fushore. Në të parashikohet dhe krijimi i një zone të gjelbëruar pranë shtratit të lumit Izvor. Një hapësirë e lirë prej 70-100 metra larg vijës së ujit do të krijojë kushtet për zgjerimin dhe rritjen e kapacitetit mbajtës të plazheve. /k.sh/
KOMENTE