English

Patozi : Propozimi I Ramës Bie Ndesh Me Kushtetutën

TIRANË, 16 Maj/ATSH- Mira Shkurta/- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar antikushtetues propozimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama "për hapjen e kutive të materialit zgjedhor, ndërsa kutitë e votimit t'i lihen në dorë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias". "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe është vetëm kjo gjykatë, e cila nëse e sheh të arsyeshme, mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të dhënë mendim për vendimet e saj. Në asnjë rast apo rrethanë si garant i Kushtetutës asaj nuk mund ti bëhet presion me greva politike", tha Patozi. Ai nënvizoi se propozimi i fundit i kryesocialistit Rama është një keqinterpretim i hapur i deklaratave të Komitetit Presidencial të Ansamblesë Parlamentare të KiE-se dhe i Byrosë Parlamentare të saj, që theksojnë mundësinë e kërkimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, por kjo përmes Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe veçanërisht për çështjen e hapjes së kutive. Propozimi i Ramës, vijoi Patozi, bie ndesh dhe me Kodin Elektoral. "Partia Demokratike rikonfirmon dhe njëherë qendrimin e saj të hapur për dialog dhe transparencë të plotë, duke theksuar se gjithçka mund të bëhet vetëm në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit", përfundoi Patozi. /k.sh/
KOMENTE