English

Pd Denoncon Moslejimin E Shërbimit Shëndetësor Për Grevistët

TIRANE, 16 Maj/ ATSH- A.Gegvataj/. - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, ka denoncuar sot moslejimin e shërbimit zyrtar shëndetësor ndaj deputetëve dhe militantëve te PS-se, që janë ngujuar në kampingun e ngritur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Mëhilli deklaroi se "për 16 ditë me rradhë, Edvin Rama dhe pinjollët e tjerë të bllokut, po trajtojnë të ngujuarit në kampin e tyre njëlloj sikur t'i kishin kavje eksperimentale me të cilat mund të bëjnë si të duan ata". Sipas saj, "frika dhe tmerri i Ramës për futjen e shërbimit publik shëndetësor në çadra dëshmon se ky njëri po shkelmon çdo standard, çdo detyrim njerëzor e ligjor të sjelljes dhe qëndrimit ndaj të grevistëve të urisë". "Konventa e Gjenevës, vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njëriut si dhe Kushtetuta e Shqipërisë, përcaktojnë qartë detyrimet që duhen përmbushur në cdo rast greve urie. Këto akte themelore po shkelmohen cdo ditë nga Rama dhe bllokmenët e rinj, të cilët po dëshmojnë në këtë mënyrë një krim të shëmtuar kundër njerëzimit, pasi për arsye strikt politike privojnë të ngujuarit nga kontrolli i paanshëm shëndetësor", shtoi Mëhilli. Sipas zedhënëses së selisë blu, "ka fakte tronditëse sipas të cilave edhe shërbimi bluzënxirë ofrohet kundrejt parave dhe korrupsionit dhe se nga cadra mund të dalësh vetëm po pagove shuma të majme". /a.ke/
KOMENTE