Tiranë, 16 Maj NOA – “Propozimi i fundit i zotit Edi Rama është njëkohësisht edhe dhunimi i fundit që kryetari i Partisë Socialiste po kërkon t’u bëjë kushtetutës, ligjeve, kodeve dhe vendimeve te gjykatave të vendit”.
Ky është qëndrimi zyrtar i dhënë sot nga Partia Demokratike përmes kryetarit të grupit parlamentar Astrit Patozi. Deklarata e tij erdhi pasi dje u prononcua dhe kabineti qeveritar përmes Oerd Bylykbashit.
Një ditë më parë, z.Rama deklaroi se propozonte që komisioni hetimor parlamentar të hapë kutitë e materialeve të votimit, kurse për kutitë e fletëve të votimit të pyetet Komisioni i Venecias.
Por z.Patozi tha sot se kjo kërkesë e tij bie në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor dhe konkretisht me nenin 178, pikën 6, ku thuhet shprehimisht: “Pas përfundimit të afatit për ankimime, sipas këtij Kodi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit si dhe tabelat dhe procesverbalin e numërimit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror te Shtetit. Të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.”
Patozi tha më tej se Kodi Zgjedhor, me këtë nen, i cili bazohet në parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ka përcaktuar qartë të gjitha qëndrimet e detyrueshme ligjore, që mbahen ndaj materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit.
“Duke sanksionuar se është KQZ ai që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkivë, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit. Çdo qëndrim tjetër i ndryshëm është anti-ligjor dhe anti-kushtetues”, - deklaroi prerë Patozi.
Për mazhorancën qeverisëse, propozimi i djeshëm i zotit Rama bie ndesh gjithashtu me vendimin e Kolegjit Elektoral, i cili në përputhje me Kodin Zgjedhor (nenet 116 dhe 118) ka vendosur se nuk mund të ketë hapje të kutive dhe rinumërim, në mungesë të votave të kundërshtuara gjatë procesit te numërimit.
“Siç dihet tashmë, zoti Rama nuk disponon asnjë dokument për kundërshtim të votave gjatë numërimit”, - komentoi z.Patozi.
Sipas tij, propozimi i fundit i zotit Rama bie ndesh edhe me vendimin Nr.18, të vitit 2003, të Gjykatës Kushtetuese, i cili shprehet prerë se “Komisionet Hetimore Parlamentare, bazuar në parimin e ndarjes se pushteteve, nuk mund të shqyrtojnë çështje të veprimtarisë së juridiksionit të gjykatave” dhe po ashtu me vendimin Nr.24 të vitit 2004, të po kësaj gjykate që përcakton se “komisionet hetimore hetojnë vetëm mbi bazë faktesh, dhe jo akuzash të pafaktuara”.
Por ndërkohë, Patozi thotë edhe se “propozimi i fundit i zotit Rama është një keqinterpretim i hapur i deklaratave të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Byrosë Parlamentare të tij, të cilat theksojnë mundësinë e kërkimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, por kjo nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatin e komisionit hetimor parlamentar dhe veçanërisht për çështjen e hapjes se kutive”.
Në vijim të deklaratës, Patozi theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit janë te formës se prerë dhe përfundimtare. “Është vetëm kjo Gjykatë, e cila po e pa të arsyeshme, mund t’i drejtohet Komisionit te Venecias për të dhënë mendim për vendimet e saj. Dhe natyrisht, në asnjë rast apo rrethanë, si garante e kushtetutës, asaj nuk mund t’i bëhet presion me greva politike”.
“Partia Demokratike konfirmon edhe një herë qëndrimin e saj të hapur për dialog dhe transparencë te plotë, duke theksuar se gjithçka mund të bëhet vetëm në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, - përfundoi z.Patozi.
Pak para daljes sw Patozit, z.Rama deklaroi se Berisha është kokëfortë dhe pas tërheqjes nga kërkesa e panegociueshme për hapjen e kutive.
r.n/NOA